Ndërlidhjet

Frikë nga denoncimi i ngacmimeve seksuale


Nga hulumtimi i realizuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta, “Mollëkuqja” në Tetovë, del se 65.8 për qind e vajzave të anketuara kanë marrë mesazhe me përmbajtje të ndryshme të ngacmimit seksual.

Esma, 19 vjeçe nga Shkupi (identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) thotë se për dy vite me radhë është përballur me ngacmime seksuale të shumta, kryesisht në rrjete sociale, që në fund e kanë detyruar t’i mbyllë të gjitha llogaritë e saj.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se ngacmimet kanë qenë të ulëta, me përmbajtje poshtëruese, e në këtë ka kontribuar edhe fakti se kishte abortuar.

“Kjo edhe më shumë më ka shkaktuar dhimbje emocionale pas vendimit që të abortoj”, thotë Esma.

Një hulumtim që ka realizuar Qendra për Mundësi të Barabarta, “Mollëkuqja” në Tetovë, ka nxjerrë në pah se 65.8 për qind e vajzave të anketuara kanë marrë mesazhe me përmbajtje të ndryshme të ngacmimit seksual nga djemtë, por edhe nga burrat në moshë.

Hulumtimi është realizuar me 208 vajza nga rajoni i Pollogut, që përfshin Tetovën dhe Gostivarin, nga mosha 18 deri 25 vjeçe.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave, thonë se rastet e këtilla shumë pak denoncohen në organet e sigurisë.

Rita Beadini, e cila ka drejtuar hulumtimin e kësaj qendre, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mbi 95 për qind e rasteve që kanë të bëjnë me ngacmimet seksuale në mesin e të rinjve, i përkasin gjinisë femërore.

Beadini thotë se problemi më i madh mbetet fakti që pjesa më e madhe e viktimave nuk u besojnë organeve të sigurisë, andaj edhe hezitojnë t’i denoncojnë rastet e këtilla në institucionet përkatëse edhe pse ngacmimi seksual paraqet vepër penale, pavarësisht nëse ajo është fizike, apo vetëm në aspektin verbal.

Beadini shton se pjesa më e madhe e vajzave parapëlqejnë t’u drejtohen familjarëve, përkatësisht 29.3 për qind e tyre. Në vend të dytë është Policia me 25 për qind. Por, sipas saj, shumë prej vajzave janë përgjigjur se nuk e dinë se ku mund të drejtohen.

"Mosbesimi në institucione është ajo se pse vajzat kanë frikë t’i denoncojnë këto raste, edhe pse 25 për qind thonë se i kanë raportuar rastet e ngacmimeve seksuale, por shumica e tyre nuk e dinë se si ka përfunduar padia”, thotë Rita Beadini.

Nga ana tjetër, Adora Limani, kryetare e grupit feminist në kuadër të shkollës së mesme “Nova”, thotë se vajzat më lehtë e kanë t’ua besojnë hallin e tyre moshatareve.

“Shumë nga të anketuarit pa hezitim i kanë ndarë me ne përvojat e hidhura që kanë pasur sa i përket ngacmimeve seksuale. Pse? Sepse janë më të lira ta thonë këtë para një bashkëmoshatareje, para një vajze, e cila është dëshmitare e këtyre dukurive. Prandaj, duhet krijuar një zinxhir i fuqishëm i bashkëpunimit mes organizatave që trajtojnë këtë çështje dhe institucioneve përkatëse”, thotë Adora Limani.

Çka paraqet ngacmim seksual?

Në bazë të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, i cili ligj në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi në muajin maj të vitit 2020, me ngacmim seksual nënkuptohet çdo sjellje verbale, joverbale ose fizike e natyrës seksuale që ka si objekt ose pasojë cenimin e dinjitetit të personit, veçanërisht kur krijohet një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, degradues ose abuziv (armiqësore).

Psikologët e shkollave fillore dhe atyre të mesme thonë se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë shumë pak njohuri për sa i përket identifikimit si viktimë e ngacmimeve seksuale.

“Kohëve të fundit, të rinjtë disi nuk arrijnë të njohin kufirin kur një kompliment kalon në ngacmim seksual. Përderisa gjenerata ime, si më të moshuar, do të identifikonim një shprehje si ngacmim të rëndë seksual, të rinjtë po atë shprehje e klasifikojnë në një kategori të tillë se: “po ky është zhargoni i komunikimit të sotëm mes të rinjve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Svetllana Asprovska Todoroviq, psikologe në një shkollë të mesme të Shkupit .

Nga ana tjetër, Vala Adili, psikologe në shkollën fillore të Kërçovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngacmimet seksuale akoma merren si diçka, për të cilën fajin e kanë vajzat. Adili thotë se nevojitet shumë diskutim për këtë temë në raportin mësimdhënës-nxënës.

“Unë mund të rri këtu në zyrë dhe të mos di se nxënësit në ndonjë klasë të shkollës ku punoj përjetojnë dhunë në internet përmes profileve false ose asaj se si duken, sepse vajzat nuk i raportojnë këto raste. Më shumë duhet punuar në inkurajimin e vajzave t’i denoncojnë këto raste duke e ditur se ajo nuk është fajtore se dikush i keqpërdor fotografitë intime që mund t’i kenë këmbyer gjatë afërsisë si çift kur kanë pasur në të kaluarën”, thotë Adili.

Ndryshe, dy rastet ku vajzat e mitura ishin pre e ngacmimeve seksuale në rrjetin social telegram “Javna Soba” (Dhoma Publike) ku ishin publikuar fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite pa lejen e vajzave, akoma nuk kanë marrë epilog gjyqësor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG