Ndërlidhjet

Fushata për zgjedhjet lokale e vë në gjumë Kuvendin


Kosovo - Kosovo Parliament, Pristina.

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 22 tetor, vlerësohet se është duke ndikuar negativisht në funksionimin dhe punën e Kuvendit të Kosovës. Kështu vlerësojnë analistët politikë dhe përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e Kuvendit.

Që kur është konstituuar Kuvendi i Kosovës, atë po e përcjellin zvarritje të shumta që kanë ndikuar në nisjen e rregullt të punës në këtë institucion.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, thotë se që nga konstituimi, nuk është parë punë e rregullt në Kuvend.

Sipas tij, deputetët janë duke humbur kohë dhe se veprimet e tyre janë përqendruar në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor. Këto sjellje, nënvizon ai, janë të pajustifikueshme.

"Kuvendi po vazhdon me jo-funksionalitet dhe nga subjektet politike fokusi i tyre po shihet qartë që është i drejtuar në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale. Shumica e subjekteve politike parlamentare kanë strukturat e veta në komunat e Kosovës. Po vërehet se ka shumë individë, si nga Qendra, ashtu edhe deputetë nga rajonet e ndryshme që vazhdimisht janë përkrah kandidatëve për kryetarë nëpër komuna të caktuara", thotë Murati.

Po ashtu, thekson Murati, një numër i konsiderueshëm i deputetëve aktual të Kuvendit të Kosovës, janë duke kandiduar edhe për kryetarë të komunave dhe kjo, sipas tij, po ndikon drejtpërdrejt në pasivitetin e tyre sa i përket nivelit qendror dhe punës së tyre si deputetë.

"Si liderët e partive apo edhe deputetët tanimë të legjislaturës së gjashtë, vazhdimisht janë duke u marrë me fushatë. Fushata po ndikon direkt edhe në mosefikasitetin dhe mospunën e Kuvendit. Për më tepër, duhet të përmendim që agjenda legjislative e legjislaturës së pestë nuk është përmbushur asnjëherë më tepër se 36 për qind. Ka shumë projektligje të mbetura në procedurë, plus e kemi një plan legjislativ të miratuar nga Qeveria, e i cili ende nuk është proceduar në Kuvend", thekson Murati.

Nga ana tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi nuk është në nivelin e duhur të përgjegjësisë. Ai thotë se mosfunksionimi i Kuvendit, qoftë me mosthirrjen e seancave apo zhvillimin e punëve nëpër komisione parlamentare, nuk mund të arsyetohet.

"Ne fatkeqësisht ende nuk e kemi të miratuar programin qeveritar në Kuvendin e Kosovës. Madje, as që është diskutuar për programin qeveritar të Qeverisë Haradinaj, ndërkohë që deputetët i shohim duke bërë fushatë për zgjedhjet lokale. Ky është një keqpërdorim i besimit të dhënë nga ana e qytetarëve dhe po ashtu keqpërdorim i parasë publike për shkak se deputetët paguhen për mospunën që po i karakterizon", vlerëson Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se Kuvendi do të duhej të mblidhej dhe çfarëdo arsyetimi i çfarëdo llojim nuk është bindës. Andaj, sipas tij, vazhdimi i këtij trendi duke arsyetuar se fushata zgjedhore po i pengon, është i papranueshëm.

"Përndryshe nëse vazhdohet në ketë formë, atëherë deputetët duhet që thjesht të marrin përgjegjësi për mospunën që po i karakterizon dhe normal që duhet kërkuar llogari nga ta, sepse po ndodh që ata kanë bllokuar punën e Kuvendit duke mos i miratuar ligjet që kanë mbetur ende pa u miratuar", thotë Mushkolaj.

Kuvendi i Kosovës konsiderohet si jofunksional që nga maji i këtij viti, kur ishte shpërndarë, kurse legjislatura e re, përveç seancës konstituive, nuk ka arritur të mbajë asnjë seancë të rregullt plenare.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG