Ndërlidhjet

Partitë politike në garë të ashpër në komunat e mëdha


Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi
Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi

Në Kosovë ka nisur fushata për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Partitë politike të cilat garojnë në këto zgjedhje, kanë bërë përpjekje që të kandidojnë për kryetar të komunave kandidatë të përgatitur dhe cilësorë, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Por, sipas tyre, përzgjedhja e kandidatëve cilësorë është bërë sidomos për komunat e mëdha, siç janë Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica dhe Prizreni.

Ndërkohë, për komunat e vogla vlerësohet se partitë politike nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi përzgjedhjes së kandidatëve.

Bekim Salihu, hulumtues në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike garën kryesor e kanë koncentruar në komuna të mëdha, ndonëse në fund, shton ai, partitë do t’i bëjnë llogaritjet në sa komuna i kanë fituar dhe jo cila është e madhe e cila është e vogël.

Partitë politike në përgjithësi, dhe veçmas në këto zgjedhje, janë përpjekur të gjejnë kandidatë të cilët do të tërheqin, marrin vota nga elektorati. Ato janë përpjekur që të ofrojnë kandidatë sa më të shkolluar dhe të përgatitur dhe kjo vlen për tu vlerësuar ngase kjo e pasuron garën. Por, është evidente se ka edhe mungesë të resurseve brenda partive politike, që këto parti të llogarisin në këto resurse për të ofruar kandidatë më të përgatitur”, tha Salihu.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po i bën përgatitjet finale për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta për organet vetëqeverisëse lokale, që do të mbahen në 38 komunat e Kosovës.

Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk pritet të ketë ndonjë risi të madhe nga zgjedhjet lokale.

Për secilën komunë, tha ai, do të ketë një garë të ngushtë ndërmjet dy ose tri subjekteve politike.

Partitë politike prapë janë fokusuar në komunat më të mëdha të vendit dhe gara kryesore pritet të bëhet në ato komuna. Janë Prishtina dhe Prizreni dy komunat më të mëdha në të cilat do këtë ketë ballafaqime më të mëdha ndërmjet subjekteve politike, pastaj vijnë Gjakova, Peja dhe ndoshta Mitrovica, e cila mund të hyjë në një kategori të tillë”, thotë Ismajli.

Gara për pushtetin lokal zhvillohet mes kandidatëve për kryetar të komunave dhe kandidatëve për këshilltarë në asambletë komunale.

Bekim Salihu thotë se jeta e qytetarëve zhvillohet në komunat ku ata jetojnë dhe se, sipas tij, kandidatët të cilët garojnë në këto zgjedhje do të duhej të koncentrohen në ato projekte të cilat kanë ndikimi në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe shërbimeve publike.

Instituti GAP ka publikuar një analizë që e ka specifikuar problemin që niveli qendror në shumicën e rasteve po ndërhynë tek kompetencat e nivelit lokal, dhe kësisoj ky nivel po e ka të pamundur në disa raste të ushtrojë funksionet karshi nevojave që kanë qytetet dhe qytetarët. Por, natyrisht mbesin shumë përgjegjësi dhe shumë projekte të cilat do të mund t’i bënin kryetarët e komunave”, thotë Salihu.

Ndërsa, Valmir Ismajli thotë se nuk mund të priten ndryshime mjaft të mëdha, pasi që zakonisht ka munguar një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.

Fatkeqësisht komunat në Kosovë varen shumë nga buxheti qendrore nga granatet qeveritare dhe jo në masë të madhe nga të hyrat vetanake. Si rrjedhojë, sado i mirë të jetë një kryetar i komunës në Kosovë do ta ketë shumë të vështirë që të bëjë diçka për komunën e vet, nëse nuk do ta ketë mbështetjen e nivelit qendror”, thotë Ismajli.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar tanimë subjektet politike garuese që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Gjithsej janë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 Parti Politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.

XS
SM
MD
LG