Ndërlidhjet

Fushata për referendumin e fokusuar në daljen në votim


Njohësit e çështjeve politike thonë se fushata për referendumin në esencë është e bazuar në fushatën për arritjen e pragut të daljes në votime mbi 50 për qind, që do të thotë dhe legjitimim i marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për të zhbllokuar procesin e integrimeve euroatlantike për Maqedoninë.

Në njërën anë, 30 parti politike në koalicion të kryesuara nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim të drejtuar nga Ali Ahmeti, bashkërendojnë aktivitetet e tyre për t'i bindur qytetarët që të mbështesin referendumin që do të mbahet më 30 shtator.

Nga ana tjetër, 30 organizata, mes të cilave edhe parti politike, janë bashkuar që të bojkotojnë referendumin duke zhvilluar fushatë përmes “shtabit të krizës me thirrje për bojkot”

Ndërkohë që partia maqedonase në opozitë e cila është shprehur se nuk e përkrah marrëveshjen Maqedoni-Greqi, duke e cilësuar si të dëmshme për interesat e shtetit, nuk ka bërë të ditur nëse do ta ftojë anëtarësinë e saj që ta bojkotojë referendumin apo të dal të votojë kundër.

Pjesëmarrja e VMRO DPMNE-së të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, llogaritet si vendimtare për arritjen pragut në referendum.

Darko Aleksov, kryetar i asociacionit qytetar "MOST", që për 16 vite monitoron proceset zgjedhore në Maqedoni, për Radion Evropa e Lirë thotë se pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përmes votës paraqet një shtyllë shumë të rëndësishme për zhvillimin e demokracisë.

“Ajo çka mund ta themi sot, këtu, është se u bëjmë apel qytetarëve që të informohen mirë dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, për shkak se si qytetarë në këtë shtet ne shfrytëzojmë beneficione dhe të drejta të caktuara. Ashtu siç duam t’i shfrytëzojmë privilegjet dhe beneficionet, gjithashtu duhet t’i zbatojmë edhe obligimet tona".

"Njëri prej obligimeve është të jemi qytetarë aktiv dhe të marrim pjesë në procesin e vendimmarrjes, e ky është një vendim shumë i rëndësishëm prej të cilit varet se si do të zhvillohet shteti në 5 deri në 10 vitet në vijim”, theksoi Aleksov.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se çdokush ka të drejtë të shpreh qëndrimin e tij pro ose kundër referendumit megjithatë theksojnë se çdo organizim për bojkotimin e referendumit dënohet me ligj.

“Thirrja për bojkot dhe organizimi i bojkotit, sigurisht se paraqet vepër penale nëse ajo bëhet nga subjekte të organizuara politikisht ose në çfarëdo forme tjetër".

"Ndërsa, shprehja individuale e mendimit pa organizim të bojkotit paraqet shprehje të mendimit individual dhe ajo nuk sanksionohet”, thotë për radion Evropa e Lirë Naser Ziberi, ekspert për çështje juridike.

Nga ana tjetër, Darko Aleksov, duke komentuar paraqitjen e mendimeve të ndryshme në opinion rreth asaj nëse organizimi i qytetarëve për të bojkotuar referendumin konsiderohet si vepër penale ose jo, vlerëson se kjo çështje duhet ndjekur me vëmendje veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me ushtrimin e çfarëdo lloj presioni për të bojkotuar referendumin.

“Në Kodin Penal është e precizuar se cila është ajo vepër penale për pengimin e votimeve - kjo është gjatë kërcënimit serioz, gjatë përdorimit të forcës, përdorimit të armës dhe në mënyra të tjera. Gjithë tjetra është - propagandë".

"Nëse nuk e ka asnjërin prej këtyre elementeve, atëherë nuk ka vepër penale. Por, nëse ka elemente të këtilla, dhe nëse ka presione, dhe gjithë ato gjërat shoqëruese, atëherë shpresojmë që institucionet në mënyrë adekuate do të reagojnë dhe do t’i adresojnë këto dukuri”, thotë Aleksov.

XS
SM
MD
LG