Ndërlidhjet

CPJ: Rritet me 50 për qind numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2022


Një gazetar duke vrapuar mes bombardimeve në Bahmut të Ukrainës, korrik 2022.
Një gazetar duke vrapuar mes bombardimeve në Bahmut të Ukrainës, korrik 2022.

Në vitin 2022, numri i gazetarëve të vrarë në mbarë botën u rrit për 50 për qind krahasuar me vitin e kaluar, sipas një raporti të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

Raporti, i publikuar më 24 janar, thotë se të paktën 67 punonjës të mediave u vranë në mbarë botën në vitin 2022, duke shënuar numrin më të lartë që nga viti 2018.

Më shumë se gjysma e gazetarëve që humbën jetën janë nga vetëm tri vende: Ukraina, me 15 gazetarë të vrarë, Meksika me 13 dhe Haiti me 7.

CPJ-ja tha se kishte konfirmuar se 41 nga 67 gazetarët u vranë "në lidhje të drejtpërdrejtë me punën e tyre" dhe tha se po heton motivet për 26 vrasjet e tjera.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se gazetarët që mbulojnë luftën në Ukrainë “përballen me rrezik të madh”.

“Anëtarët e shtypit plagosen shpesh nga bombardimet gjatë mbulimit të konfliktit dhe disa raportojnë se ata janë shënjestruar nga forcat ruse”, tha komiteti në raportin e tij.

Sipas raportit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, rritja e rrezikut ka bërë që gazetarët në këto vende të punojnë nën stres ekstrem.

XS
SM
MD
LG