Reza Valizadeh, me shtetësi amerikane dhe iraniane, dhe ish-gazetar i Radios Farda, shërbim në gjuhën persiane i Radios Evropa e Lirë, po shënon dy vjet prapa grilave në Iran.
Valizadeh u dënua me 10 vjet burgim për akuzën e “bashkëpunimit me një qeveri armiqësore” në dhjetor të vitit 2024, një dënim që mbështetësit e tij dhe organizatat për lirinë e shtypit e kundërshtojnë. Apeli i tij u refuzua.
Valizadeh dha dorëheqjen nga Radio Farda në nëntor të vitit 2022, pas një dekade pune. Ai u kthye në Iran në fillim të vitit 2024 për të vizituar familjen e tij, por u arrestua më 22 shtator të atij viti dhe u mbajt në paraburgim.
Që nga vdekja e Mahsa Aminit në shtator të vitit 2022, autoritetet iraniane kanë nisur një goditje brutale dhe, në disa raste, vdekjeprurëse ndaj çdo forme mospajtimi.
Amini vdiq derisa ishte në paraburgimin e të ashtuquajturës polici morale e Iranit, nën akuzën për shkelje të ligjit të vendit për mbulesën e kokës.
Rasti i saj nxiti lëvizjen “Gra, Jetë, Liri”, e cila tronditi autoritetet konservatore.
Valizadeh gjithashtu i akuzoi autoritetet iraniane se po e ftonin luftën në vendin me rreth 90 milionë banorë, duke iu referuar programit të tij të kontestuar bërthamor dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një fushatë bombardimesh ndaj Iranit në fund të shkurtit. Lufta ka vrarë qindra iranianë, ka përkeqësuar krizën tashmë të rëndë ekonomike në vend dhe ka çuar në ashpërsimin e goditjes ndaj mospajtimit.
Burime pranë Valizadehut pretendojnë se ai ra në një “kurth të sigurisë”, pavarësisht se kishte marrë garanci jozyrtare nga zyrtarë iranianë të sigurisë se nuk do të përballej me probleme ligjore pas kthimit në Iran.
Departamenti amerikan i Shtetit e ka dënuar ndalimin e Valizadehut, duke e cilësuar atë si “të padrejtë” dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare ligjore.
Organizatat për lirinë e shtypit, përfshirë Reporterët pa Kufij dhe Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, u kanë bërë thirrje autoriteteve iraniane që ta lirojnë menjëherë Valizadehun.
Irani akuzohet rregullisht për arrestimin e shtetasve me dy shtetësi dhe shtetasve të huaj nën akuza të rreme, me qëllim përdorimin e tyre për t’u bërë presion vendeve perëndimore. Në shtator të vitit 2023, Irani liroi pesë amerikanë të burgosur në Iran në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve.
Në fillim të këtij muaji, shtetasi 71-vjeçar iraniano-amerikan Kamran Hekmati u lirua nga burgu famëkeq Evin i Teheranit, por familja e tij tha se ai nuk mund të largohet nga vendi për shkak të ndalesës së udhëtimit.
Irani është gjithashtu ndër vendet më represive sa i përket lirisë së shtypit. Reporterët pa Kufij e renditën Iranin në vendin e 177-të nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026. Vetëm Kina, Koreja e Veriut dhe Eritrea shënuan rezultat më të ulët.
Organizata e medias me bazë në Paris tha se Irani është gjithashtu një nga vendet në botë që burgos më së shumti gazetarë.