Ndërlidhjet

Gemini nga Google: Gjithçka që dihet për modelin e ri të inteligjencës artificiale


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

AFP

Google ka fuqizuar “chatbot”-in e tij, Bard, me një model të gjeneratës së re të inteligjencës artificiale (IA), të quajtur Gemini, të cilin kompania e cilëson të aftë për të arsyetuar më mirë sesa ChatGPT dhe rivalët e tjerë.

Gjiganti prapa motorit të kërkimit më të përdorur në botë synon të garojë në fushën e IA-së gjenerative me krijuesin e ChatGPT-së, OpenAI, teksa kjo kompani po merret me pasojat e një lufte të brendshme që çoi në shkarkimin dhe më pas rikthimin e shefit të saj ekzekutiv, Sam Altman.

Google prej vitesh është angazhuar në krijimin e kapaciteteve të IA-së, por është zënë në befasi kur OpenAI e prezantoi në fund të vitit të kaluar ChatGPT-në, dhe i bëri bashkë forcat me Microsoft-in për t’ua ofruar aftësitë e tij përdoruesve në mbarë botën.

“Ky është një moment i jashtëzakonshëm, ne vetëm sa kemi filluar ta prekim të mundurën”, ka thënë shefi ekzekutiv i Google-it, Sundar Pichai.

“Kjo gjeneratë e re e modeleve përfaqëson një prej përpjekjeve më të mëdha në shkencë dhe inxhinieri që ne i kemi bërë si kompani”, është shprehur ai.

Gemini është modeli i parë i IA-së që ka arritur rezultate më të mira se ekspertët njerëzorë në disa fusha të caktuara, përfshirë zgjidhjen e problemeve, matematikën, fizikën, historinë, drejtësinë, mjekësinë dhe etikën, ka deklaruar Eli Collins, zëvendësdrejtues i laboratorit DeepMind të Google-it.

Gjatë një demonstrimi, Gemini ka njohur ato që i janë shfaqur, nga një person duke aktruar një skenë nga filmi “Matrix”, deri te një njeri duke vizatuar një rosë, e më pas duke e mbajtur në dorë një rosë prej gome.

Gemini ka komentuar ato që i janë paraqitur, teksa ka bërë krahasime, ka nxjerrë konkluzione dhe ka ofruar sugjerime.

Performanca e një versioni “Ultra” të Gemini-t “tejkalon” atë të modeleve të tjera të avancuara në 30 testime, ku janë matur kapacitetet si kuptimi i pamjeve dhe arsyetimi matematik, sipas Collins.

Një version “Pro” i Gemini-t, i integruar në Bard, është krijuar për të kryer një varg detyrash. Një version “Nano” është bërë enkas për telefona të mençur mobilë, dhe për herë të parë do të jetë pjesë e telefonit më të avancuar të Google-it, Pixel 8.

Google e nxori me nguti “chatbot”-in e tij Bard, më herët këtë vit, dhe vazhdoi përditësimin e tij, bazuar në komentet e përdoruesve, sipas zëvendësdrejtueses së Bard-it, Sissie Hsiao.

“Gjithë ky novacion i shpejtë po na ofron drejt atij që ne e shohim si moment vërtet transformues”, ka thënë Hsiao.

“Me Gemini-n, Bard po merr përditësimin e tij më të madh deri më tani”, ka shtuar ajo.

“Bashkëpunëtor me inteligjencë artificiale”

Bard do ta përdorë Gemini-n për kapacitete më të avancuara të arsyetimit, planifikimit dhe kuptimit, sipas një demonstrimi.

Ai do të jetë në dispozicion në gjuhën angleze, në më shumë se 170 vende dhe territore, teksa gjuhë të tjera do të shtohen së shpejti, ka bërë të ditur Hsiao.

Bard, i fuqizuar nga Gemini, do të zgjerohet për të qenë “multi-modal”, që do të thotë se do të mund të marrë komanda me zë, me pamje dhe me tekst, kanë thënë drejtuesit e Google-it.

“Me Gemini-n, ne jemi një hap më afër vizionit tonë për t’ju sjellë bashkëpunëtorin më të mirë me inteligjencë artificiale në botë”, është shprehur Hsiao.

Gemini rrit nivelin e performancës së Bard-it, qoftë në shkrimin e poezisë apo të kodit kompjuterik, qoftë në kërkim të gjërave për të blerë apo në projekte hulumtuese, sipas Hsiaos.

Versioni “Ultra” i Gemini-t, i krijuar për të kryer detyra tejet komplekse, do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm, ka njoftuar Google.

“Unë jam i mahnitur nga aftësitë e tij”, ka thënë Collins, duke folur për Gemini-n.

“Ky është fillimi i një epoke të re për ne në Google, teksa po vazhdojmë të shtojmë dhe të avancojmë shpejt kapacitetet e modelit”, është shprehur ai.

Në shtator, Google integroi Gmail-in, YouTube-in dhe mjete të tjera në “chatbot”-in e tij Bard, teksa gjigantët e teknologjisë po përpiqen t’i bindin përdoruesit se IA-ja gjenerative është e dobishme dhe jo e rrezikshme, apo diçka kalimtare.

Këto kapacitete janë të ngjashme me ato të ofruara nga Microsoft-i, i cili ka injektuar shërbimet e IA-së në programet e tij të pakos Office 365 - që mund të aktivizohen pas një pagese shtesë – por jo edhe në motorin e tij të kërkimit, Bing.

Qëndrueshmëria e “chatbot”-ëve me IA gjenerative, pasi të kapërcejë entuziazmi fillestar, mbetet të shihet.

Integrimi i një “chatbot”-i të mbështetur nga OpenAI në motorin e kërkimit të Microsoft-it, më herët këtë vit, dështoi të ushtronte ndonjë ndikim në dominimin e Google-it në industrinë e kërkimit.

Megjithatë, qeveritë dhe kompanitë teknologjike këmbëngulin se IA-ja gjenerative përbën kapitullin e ardhshëm të madh të teknologjisë, dhe kanë rritur shpenzimet për produkte, hulumtime dhe infrastrukturë të re.

Përgatiti: Trim Haliti

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG