Ndërlidhjet

Garë e ngushtë në zgjedhjet në Gjermani


Votimi për zgjedhjet parlamentare në Gjermani.
Votimi për zgjedhjet parlamentare në Gjermani.

Dy partitë kryesore në Gjermani janë në garë të ngushtë në zgjedhjet parlamentare, ku do të vendoset se kush do ta zëvendësojë kancelaren, Angela Merkel.

Blloku konservativ i Unionit Demokristian dhe partia e qendrës së majtë, Social Demokrate, që të dyja kanë 25 për qind të votave, sipas një sondazhi të publikuar pas mbylljes së qendrave të votimit.

Partia e të Gjelbërve është radhitur e treta me 15 për qind, potencialisht duke i dhënë një avantazh Social Demokratëve për formimin e qeverisë së re dhe duke i dhënë fund udhëheqjes shumëvjeçare të shtetit nga CDU-ja e Merkelit.

Pavarësisht popullaritetit të Merkelit në Gjermani, partia e saj konservatore ka dështuar që të shënojë një fitore të qartë në zgjedhjet parlamentare, duke rënë për tetë pikë krahasuar me rezultatin e shënuar më 2017.

Armin Laschet është kandidati i Unionit Demokristian për ta zëvendësuar Merkelin, e cila ka qenë kancelare për 16 vjet. Por, që prej nominimit të tij, fushata e tij është përshkruar me gafa të shumta dhe hapa të gabuar gjatë fushatës.

Fushata zgjedhore u dominua nga çështjet për ndryshimet klimatike, pensionet, taksat, rroga minimale, kujdesi shëndetësor, edukimi, migrimi dhe digjitalizimi.

Rreth 40 për qind prej 60.4 milionë qytetarëve me të drejtë vote thanë se ishin të pavendosur deri në ditën e votimit.

Ndërkaq, ndaj kandidatit të SPD-së, Olaf Scholz, që ka qenë ministër i Financave dhe zëvendës i Merkelit, është rritur mbështetja gjatë verës, kanë sugjeruar sondazhet.

Ai ka tentuar që ta portretizoi veten si “kandidat i vazhdimësisë” për ta zëvendësuar Merkelin në vend të Laschet.

Përderisa rezultati i zgjedhjeve është i paqartë, shumica e vëzhguesve presin që pas këtyre zgjedhjeve të formohet një koalicion ndërmjet tre partive, por ende është e paqartë se kush do të bëjë pjesë në qeverisjen e re.

Scholz ka thënë se ai në qeverinë e tij e do partinë e Gjelbër, por ai po ashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë që në ekzekutiv të bëjë pjesë edhe Die Linke (Partia e Majtë), nëse kjo parti e ekstremit të majtë kalon pragun prej 5 për qind dhe hyn në parlament.

Ballkani post-Merkel
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:50 0:00

Mundësia që Die Linke të hyjë në qeveri ka bërë që Laschet të paralajmëroi vazhdimisht gjermanët se shteti do të zhvendosej fuqishëm në të majtë nëse votuesit mbështesin SPD-në.

“Nëse dëshironi stabilitet në Gjermani CDU/CSU duhet të dalë e para nesër”, tha Laschet gjatë mbylljes së fushatës në Aachen më 25 shtator, ku ishte e pranishme edhe Merkel.

Merkel e përshkroi Laschetin si person që ndërton ura dhe që ka bërë shumë për të ndërtuar unitetin evropian.

Një koalicion tjetër i mundshëm është vazhdimi i koalicionit aktual CDU/CSU-SPD, ku ndoshta do të bënin pjesë edhe të Gjelbrit apo Demokratët e Lirë (FDP).

Megjithatë, për vite me radhë ka pasur pakënaqësi në mesin e krahut të të rinjve të majtë të SPD-së lidhur me partneritetin me konservatorët.

Të Gjelbrit, që aktualisht, sipas sondazheve janë partia e tretë, për kandidate për kancelare kanë Annalena Baerbock. Kjo parti pritet që ta rrisë numrin e ulëseve në parlament dhe të hyjë në qeveri për herë të parë.

Nëse fiton SPD, kjo parti mund të formojë koalicion me të Gjelbrit dhe FDP-në, që sipas sondazheve kanë 11 për qind, edhe pse analistët thonë se dallimet e mëdha ideologjike do ta bënin të vështirë arritjen e një koalicioni të tillë.

Alternativa për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë, nuk është përfshirë në asnjë opsion të koalicioneve, pavarësisht se sondazhet thonë se ka 11 për qind. Kjo për faktin se çdo parti ka refuzuar që të punojë me ta.

XS
SM
MD
LG