Ndërlidhjet

Gjykata e BE-së lejon kompanitë të ndalojnë vendosjen e mbulesës në kokë


Disa studente në një park të Londrës.
Disa studente në një park të Londrës.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka marrë vendim që kompanitë mund të ndalojnë vendosjen e mbulesës myslimane në kokë, me kushte të caktuara.

Kjo Gjykatë, ka thënë në vendimin e saj se kompanitë duhet të tregojnë një arsye të vërtetë kur vendosin që t’ia ndalojnë ndonjë punëtoreje vendosjen e mbulesës në kokë, dhe duhet të kenë parasysh kontekstin specifik kombëtar.

“Ndalimi i vendosjes së diçkaje që shpërfaq besime politike, filozofike apo fetare në vendin e punës, mund të arsyetohet me nevojën e punëdhënësit për të paraqitur një imazh neutral te konsumatorët, apo për të parandaluar mosmarrëveshje shoqërore”, ka thënë Gjykata.

“Megjithatë, ky arsyetim duhet të jetë në përputhje me nevojën e sinqertë të punëdhënësit dhe, bazuar në të drejtat dhe interesat në fjalë, gjykatat kombëtare mund të marrin parasysh kontekstin specifik të shtetit të tyre, me qëllim të mbrojtjes së lirisë fetare”, është thënë në vendim.

Në qendër të këtij vendimi ka qenë rasti i dy grave myslimane në Gjermani, të cilat kanë çuar në gjyq punëdhënësit e tyre, pasi u është thënë të mos vendosin mbulesën.

Shumë gra myslimane e konsiderojnë vendosjen e mbulesës në kokë, si element kyç të besimit të tyre.

Gjykatat gjermane tani do të vendosin nëse do të përdorin vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, kur të marrin vendimin përfundimtar për këto dy raste.

XS
SM
MD
LG