Ndërlidhjet

Greqia ashpërson masat kundër COVID-19


Një plazh në periferi të Athinës. 1 korrik, 2021.

Për shkak të rritjes së numrit të infektimeve me koronavirus, Greqia ka vendosur masa më të ashpra në një prej ishujve më të vizituar nga turistët gjatë sezonit të verës.

Autoritetet të shtunën kanë vendosur që të ndalojnë muzikën në bare dhe restorante dhe të vendosin orë policore gjatë natës në ishullin Mikonos.

Ky ishull njihet si ishull i ndjeve për super të pasurit dhe vizitohet nga më shumë se një milion persona çdo verë.

Ministria e Mbrojtjes Civile tha se ora policore do të jetë nga ora 01:00 deri në 06:00, ku përjashtim do të bëjnë personat që u duhet të lëvizin në këtë orar për të shkuar dhe ardhur nga puna si dhe për të shkuar në spital.

Ekonomia greke varet nga turizmi dhe shteti ka nevojë të ketë një sezon të mirë turistik, pasi më 2020, për shkak të pandemisë nuk pati turistë.

Javëve të fundit, numri i rasteve me COVID-19 është rritur në Greqi, duke shtyrë qeverinë që ta bëjë të detyrueshme vaksinimin kundër COVID-19 të punëtorëve shëndetësorë si dhe ka vendosur masa të reja në mbarë vendin. Në Greqi, sipas masave në fuqi, në restorante dhe dyqane të tjera, hyrja brenda iu lejohet vetëm klientëve të vaksinuar.

Kryetari i Mikonos, Konstantinos Koukas tha se ishte e “padrejtë” që vetëm në këtë ishull të vendosen këto masa.

“Mikonos nuk mund të jetë ishulli i vetëm ku nuk lejohet muzika... kjo gjë do të bëjë që vizitorët të shkojnë në ishuj të tjerë”, tha ai.

Në muajin maj, Qeveria greke kishte ndaluar muzikën në bare dhe restorante me qëllim që njerëzit të mos grumbulloheshin dhe të shpërndanin më lehtë virusin.

Kufizimet në Mikonos do të jenë në fuqi deri më 26 korrik.

XS
SM
MD
LG