Ndërlidhjet

Greqia e shqetësuar nga ndonjë dyndje migrantësh afganë


Migrantë nga Lindja e Mesme në ishullin Lesbos në Greqi. Foto nga arkivi.
Migrantë nga Lindja e Mesme në ishullin Lesbos në Greqi. Foto nga arkivi.

Greqia nuk dëshiron të bëhet portë hyrëse për në Bashkimin Evropian e afganëve të cilët ikin nga situata e përshkallëzuar në atdheun e tyre, tha të martën ministri i Migracionit Notis Mitarachi.

Ai bëri thirrje për një përgjigje të përbashkët të Bashkimit Evropian (BE) ndaj krizës.

Në vitin 2015 gati një milion njerëz që ikën nga konflikti në Siri, Irak dhe Afganistan zbarkuan në ishujt e Greqisë dhe vendet tjera anëtare të BE-së.

Prandaj, ky vend tani është i shqetësuar se një skenar i tillë mund të përsëritet.

"Ne po themi qartë se ne nuk do të jemi dhe nuk mund të jemi porta e Evropës për refugjatët dhe migrantët", tha Mitarachi për televizionin shtetëror ERT.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të mbajnë një takim urgjent të martën për të diskutuar rënien e Afganistanit në duart e talibanëve.

Greqia ka kërkuar që në këtë takim të diskutohet gjithashtu çështja e migrantëve.

Të hënën (16 gusht) janë parë skena kaotike në aeroportin “Hamid Karzai” në Kabul pasi mijëra afganë përpiqeshin të largoheshin nga vendi, madje duke hipur mbi aeroplanë që po përgatiteshin të fluturojnë.

Trupat amerikane që po e kontrollojnë aeroportin u detyruan të qëllojnë për të shpërndarë turmën dhe për të mundësuar fluturimet.

Një situatë me e qetë është raportuar të martën pasi fluturimet për evakuimin e personelit të huaj dhe civilëve në Afganistan po vazhdojnë.

Talibanët e morën kontrollin e vendit rreth 20 vjet pasi ishin rrëzuar nga pushteti nga një intervenim ushtarak i Shteteve të Bashkuara. Më 2001 talibanët kanë qenë duke strehuar Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG