Ndërlidhjet

Himni maqedonas po, ai shqiptar jo - Shqipëria kritikon aktivitetin ku mori pjesë Mickoski

Aktiviteti i mbajtur në Pustec të Korçës, ku mori pjesë kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.
Aktiviteti i mbajtur në Pustec të Korçës, ku mori pjesë kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka kritikuar mosekzekutimin e himnit shqiptar në një aktivitet në Pustec të Korçës, ku mori pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Ministria e ka cilësuar këtë si një “mungesë serioze” dhe “shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit”.

“Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.

Aktiviteti u zhvillua të enjten në Pustec dhe ishte i përqendruar te kultura maqedonase. Në të mori pjesë Mickoski, si dhe kryetari i Bashkisë së Pustecit dhe përfaqësues të tjerë lokalë.

Gjatë aktivitetit u ekzekutua Himni Kombëtar i Maqedonisë së Veriut, por jo ai i Shqipërisë.

Ministria shqiptare tha se, ndonëse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe e të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension publik.

Pusteci është e vetmja bashki në Shqipëri ku komuniteti maqedonas përbën shumicën e popullsisë. Ajo shtrihet në qarkun e Korçës, në juglindje të Shqipërisë.

Mickoski ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga vizita e tij në Pustec dhe takimet me komunitetin maqedonas, por nuk ka reaguar publikisht deri tani për mosekzekutimin e himnit shqiptar dhe as për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Ai i cilësoi maqedonasit në Shqipëri si pjesë të “indit kombëtar”, duke bërë thirrje për bashkim rreth interesave kombëtare, të ardhmes së fëmijëve dhe respektit për historinë dhe dinjitetin e popullit.

Vizita e Mickoskit në Pustec erdhi në një kohë kur përbërja dhe identiteti i komuniteteve maqedonase dhe bullgare në Shqipëri janë bërë temë debati, veçanërisht pas regjistrimit të popullsisë të vitit 2023.

Regjistrimi evidentoi 2.281 persona që u vetëdeklaruan maqedonas, një rënie prej 59 për qind krahasuar me rreth një dekadë më parë.

Në të njëjtin regjistrim, për herë të parë u regjistruan 7.057 persona që u vetëdeklaruan bullgarë. Komuniteti bullgar u njoh zyrtarisht në Shqipëri në vitin 2017.

Rezultati shkaktoi debat mes përfaqësuesve të dy komuniteteve mbi identitetin e popullsive sllave në Shqipëri.

Përfaqësuesit maqedonas nuk e pranuan rezultatin si pasqyrim real të madhësisë së komunitetit të tyre.

Ata pretenduan se një pjesë e personave që tradicionalisht identifikoheshin si maqedonas ishin regjistruar si bullgarë, duke e lidhur këtë me politikat e Bullgarisë për dhënien e pasaportave bullgare dhe, sipas tyre, me presione mbi banorët.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit bullgarë e konsideruan rezultatin një konfirmim të rëndësishëm të pranisë së komunitetit të tyre në Shqipëri.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG