Ndërlidhjet

Hovenier: Vendimi i Kosovës për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet tona


Hovenier: Çështja e dinarit veçse ka prekur raportet Kosovë-SHBA
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:30 0:00

Hovenier: Çështja e dinarit veçse ka prekur raportet Kosovë-SHBA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë të enjten se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment, saqë qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që të shmangim gjëra të tjera si këto”, tha Hovenier për gazetarët të enjten.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës - e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin - hyri në fuqi më 1 shkurt.

Ai tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

"Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme... ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak i vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë", tha Hovenier.

Hovenier theksoi se është "gjë e rrallë" që Kosova të kritikohet nga Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke iu referuar fjalimit të ambasadores amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila e përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së gjatë një seance më 9 shkurt, ku u bisedua me kërkesë të Serbisë për çështjen e dinarit.

Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë u bënë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O'Brien, i cili tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti të mërkurën.

O’Brien paralajmëroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien të martën në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Hovenier tha se ndihet i shqetësuar nga deklaratat publike të Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë kosovarë pas intervistës së O'Brien, të cilët pretenduan se partneriteti SHBA-Kosovë nuk është prekur dhe mund të mos preket nga kjo situatë, duke shtuar "duhet të jem i qartë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk është kështu".

"Çfarëdo sugjerimi i kundërt pasqyron një keqkuptim thelbësor, apo shtrembërim të rëndësisë që ne i japim zgjidhjes së kësaj çështjeje në një mënyrë që i përgjigjet shqetësimeve tona dhe, s’është më e rëndësishmja, e kryer në një mënyrë që siguron mbështetje të vazhdueshme për njerëzit në nevojë nga komunitetet e pakicave në Kosovë", shtoi ai.

Të hënën, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.

Por, Hovenier theksoi se Qeveria kosovare nuk i ka dëgjuar kërkesat e SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit të rregullores.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar Qeverisë së Kosovës dy gjëra specifike në lidhje me vendimin për zbatimin e rregullores së BQK-së.

"E para, duhet të vendoset një procedurë përmes së cilës Serbia mund t’i transferojë fondet në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore. Por kjo nënkupton standarde dhe praktika evropiane. Vendosja e kësaj procedure duhet të diskutohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Presim nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë.

"E dyta, derisa të punohet për ta zbatuar këtë proces afatgjatë, duhet të ketë provizione të përkohshme për ta lejuar Serbinë të vazhdojë të ofrojë fonde për shërbime të nevojshme sociale, përfshirë pagesat sociale, si pensionet, mbështetjen për sistemin e shëndetësisë dhe arsimit. Deri tani nuk ka pasur përpjekjet për ta mundësuar këtë në baza të përkohshme", shpjegoi Hovenier.

Në Prishtinë pro ndalimit të dinarit, kundër rrezikimit të raporteve me SHBA-në
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel - rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.

BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002.

XS
SM
MD
LG