Ndërlidhjet

Ikea në Francë gjobitet me 1 milion euro për spiunim të stafit


Fotografi ilustruese

Një gjykatë franceze urdhëroi gjigantin suedez të mobiljeve Ikea të paguajë gjobë prej një milion eurosh, pasi u gjet fajtor për spiunim të stafit në Francë.

Ish-shefi i Ikeas-s në Francë, Jean-Louis Baillot, u dënua me dy vjet burgim me kusht dhe me gjobë prej 50,000 eurosh.

Dega në Francë e Ikea-s u zbulua se ka përdorur detektivë privatë dhe oficerë të policisë, për të mbledhur të dhëna private për stafin.

Dëshmitë dolën në pah në vitin 2012.

Për pasojë, Ikea shkarkoi katër menaxherë dhe miratoi kod të ri të sjelljes.

Pesëmbëdhjetë të akuzuarit që dolën në gjykatën e Versajës, përfshinin drejtues të lartë dhe ish-menaxherë të dyqaneve.

Katër oficerë të policisë ishin po ashtu në gjyq për dorëzimin e informacioneve konfidenciale.

Me nisjen e gjyqit, Ikea në Francë lëshoi një deklaratë, duke thënë se i “dënon fuqishëm” shkeljet e privatësisë dhe se kërkon falje për “këtë situatë që dëmton seriozisht vlerat e kompanisë dhe standardet etike”.

Fatura vjetore e Ikea-s për hetuesit privatë shkoi deri në 600,000 euro, raportoi agjencia e lajmeve AFP, duke cituar dokumentet e gjykatës.

XS
SM
MD
LG