Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Incidentet me pakicat dëshmojnë brishtësinë e raporteve ndëretnike


Pamje në Prishtinë

Disa incidente ndëretnike që kanë ndodhur muajt e fundit në Kosovë, kanë ngritur shqetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Ndërkohë që nga Beogradi dhe subjekti politik, Lista Serbe, e cila kryesisht mbron vijën zyrtare të politikës së Qeverisë së Serbisë, këto incidente janë cilësuar si shumë të rrezikshme për mbijetesën e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë.

Në anën tjetër, autoritetet e rendit paraqesin një pasqyrë tjetër. Në një përgjigje nga Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, thuhet se gjatë periudhës janar - maj të këtij viti, janë regjistruar katër raste si incidente ndëretnike. Kurse, gjatë vitit 2017, ishin regjistruar 14 incidente të këtij lloji.

Sidoqoftë, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, përveç shprehjes së shqetësimeve përincidente të tilla, kanë vlerësuar se ato ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Ndërkohë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thanë se institucionet kanë krijuar kushte për të gjithë qytetarët e Kosovës që të jetojnë të lirë.

* Videoja më poshtë për incidentin ndëretnik në Grackë të Vjetër të Lipjanit ku janë përleshur dy persona

Dy persona janë përleshur në Grackë të Vjetër
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:19 0:00

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se incidentet mund edhe të ndodhin, kurse për incidentet që kanë ndodhur kohëve të fundit, janë raste të izoluara dhe se autoritetet kompetente po merren me to.

"Situata e sigurisë në Kosovë edhe në raport me komunitetet dhe në raport me qytetarët e tjerë, është e qetë dhe shumë e sigurt dhe probleme nuk kemi. [Rastet për të cilat flitet ] janë çështje mediatike dhe që po krijojnë zhurmë, po që nuk i bëj mirë Republikës së Kosovës", tha Zeka.

Zëvendësministri Zeka tha se Kosova ka një shoqëri demokratike dhe, sipas tij, në shoqëritë e tilla ka parime, të cilat funksionojnë në bazë të ligjeve.

"Ne punojmë dhe nuk lejojmë që asnjë qytetari të Republikës së Kosovës, pa dallim, që t'i cenohet e drejta për të jetuar dhe e drejta për të punuar dhe për të bërë një jetë krejt normale. Ne kemi një situatë jashtëzakonisht të qetë të sigurisë në përgjithësi, nga veriu e deri në jug të Kosovës. Prandaj, nuk ka nevojë për shqetësim as për qytetarët e as ndërkombëtarët, sepse Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar në koherencë për të krijuar mekanizma dhe për funksionuar ashtu siç duhet", theksoi Zeka.

Ministria e Punëve të Brendshme më herët ishte deklaruar për tri incidente, njëri në fshatin Grackë të Lipjanit, tjetri në Zallç të Klinës dhe një në Novak të Prizrenit.

Sipas tyre, Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, identifikimit të personave të mundshëm të përfshirë në to.

MPJ-ja ka thënë se lidhur me këto raste, ka arritur të ofrojë siguri të plotë, të identifikojë dhe arrestojë personat e dyshuar të përfshirë në raste, që, sipas tyre, të ndaluar kanë qenë të moshës së mitur.

Në anën tjetër, subjekti politik Lista Serbe që është pjesë e institucioneve të Kosovës, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, ka raportuar para pakt ditësh se vetëm brenda në muaji maj, kanë ndodhur mbi 16 sulme të motivuara etnikisht mbi serbët dhe pronën e tyre.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ka kërkuar nga Qeveria dhe autoritetet tjera përgjegjëse në Kosovë që të adresojnë në mënyrë adekuate të gjitha rastet e sulmeve ndaj pjesëtarëve të komunitetit pakicë në Kosovë.

Delawie dënon incidentet në Kosovë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:27 0:00

“Kosova është shoqëri shumetnike dhe mendoj që varet nga çdo person që të bëjë më të mirën për të jetuar me fqinjët e tyre. Dhe, mendoj se çdokush ka përgjegjësi për të jetuar në paqe me fqinjët e tij apo të saj”, ka thënë ambasadori Delawie për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësuar dhe ka dënuar incidentet e fundit që kanë motive ndëretnike. Qeveria e Kosovës kërkon nga organet kompetente që sa më shpejt të ndriçojnë arsyet dhe motivet e këtyre rasteve.

"Rastet e tilla kanë për synim të pengojnë përpjekjet e institucioneve për ndërtimin e një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse", thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se incidentet e fundit janë sporadike dhe ato kanë lidhje me deklarata politike.

"Deklaratat janë shumë nxitëse dhe një motivim i keq i strukturave të ndryshme, duke dërguar mesazhe që ato mund të kenë reagim të keq. Këto deklarata të liderëve politikë, janë një veprim i keq që mund të nxisin veprime të paparashikuara", vlerëson Ibishi.

Indiferent ndaj këtyre zhvillimeve nuk ka qëndruar as shefi i misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin. Përmes një komunikate për media ai u ka bërë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe për të sjellë autorët para drejtësisë, si një gurthemel, për të çuar përpara dialogun dhe për të ndërtuar besimin mes komuniteteve.

Ai ka mirëpritur dënimin dhe shprehjen e shqetësimit nga udhëheqësit e Kosovës lidhur me incidentet e fundit të motivuara etnikisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG