Ndërlidhjet

Kleriku irakian bën thirrje për ndaljen e përleshjeve të dhunshme


Mbështetësit e klerikut shiit, Muqtada al-Sadr brenda Pallatit qeveritar. Bagdad, 29 gusht 2022.

Kleriku shiit irakian, Muqtada al-Sadr, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij besnikë që gjenden në Zonën e Gjelbër, që të tërhiqen pas pothuajse 24 orësh përleshjeje të ashpra mes forcave të sigurisë dhe grupeve shiite të mbështetura nga Irani.

Nga këto përleshje janë vrarë të paktën 30 persona.

Gjatë një fjalimi televiziv më 30 gusht, al-Sadr dha afat një orë që mbështetësit e tij të tërhiqen.

Qindra mbështetës të tij sulmuan Pallatin qeveritar dhe më pas u ulën jashtë ndërtesës së Parlamentit.

Të paktën 380 persona u plagosën gjatë trazirave të 29 gushtit, që shpërthyen pas njoftimit të al-Sadrit se ai do të tërhiqej nga politika.

Irani mbylli kufijtë tokësorë me Irakun më 30 gusht, teksa fluturimet u ndaluan për shkak të dhunës.

Këto vendime erdhën pasi miliona iranianë po përgatiteshin që të vizitonin Irakun në pelegrinazhin vjetor në vendet e shenjta shiite.

Televizioni shtetëror iranian tha se arsyeja e mbylljes së kufijve ishte për shkak të “trazirave” në qytetet irakiane. Ky televizion u bëri thirrje iranianëve që të shmangnin çdo udhëtim drejt Irakut, përderisa paralajmëroi pelegrinët e Iranit në Irak që të shmangin udhëtimet nëpër qytete.

Ndërkaq, Kuvajti u bëri thirrje qytetarëve të tij në Irak që të largohen nga ky shtet. Agjencia shtetërore e lajmeve, KUNA, po ashtu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Irakut, që të shtyjnë planet e tyre pas shpërthimit të dhunës midis grupeve rivale në Irak.

Misioni për Ndihmë në Irak i Kombeve të Bashkuara thanë se trazirat janë “një përshkallëzim jashtëzakonisht i rrezikshëm” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që “të përmbahen nga të gjitha aketet që mund të çojnë drejt një zinxhiri ngjarjesh të pandalshme”.

XS
SM
MD
LG