Ndërlidhjet

Gjykata e Lartë e Iranit pranoi ankesat e dy protestuesve të dënuar me vdekje


Takimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë të Iranit. Fotografi nga arkivi.
Takimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë të Iranit. Fotografi nga arkivi.

Gjykata e Lartë e Iranit ka pranuar ankesat e dy protestuesve të dënuar me vdekje për mangësitë në hetimin e rasteve të tyre, tha të shtunën gjyqësori iranian.

"Gjykata e Lartë ka pranuar ankesat e Mohammad Qobadloo dhe Saman Saidi Yasin, të akuzuar në trazirat e fundit", njoftoi agjencia Mizan.

“Për shkak të mangësive të hulumtimit, Gjykata e Lartë i referoi ato në të njëjtat gjykata për rishqyrtim”, raporton Reuters.

Protestat mbarëkombëtare u shkaktuan nga vdekja e një gruaje kurde iraniane, Mahsa Amini, më 16 shtator. Ajo vdiq sa ishte në mbajtje policore pasi u arrestua për dyshime se kishte shkelur kodet islame të veshjes.

Qobadloo akuzohet për vrasjen e një agjenti policie dhe plagosjen e pesë të tjerëve gjatë protestës. Ndërsa Yasin akuzohet se ka tentuar të vrasë anëtarët e forcave të sigurisë dhe ka kënduar këngë revolucionare.

Më 8 dhjetor, Irani kreu ekzekutimin e parë, duke varur protestuesin Moshen Shekari, pasi Gjykata Supreme e Iranit hodhi poshtë apelin e tij. Ai ishte akuzuar për veprën “luftë”, përkatësisht dyshohej se kishte plagosur një zyrtar të sigurisë.

Katër ditë më vonë, më 12 dhjetor, Irani kreu ekzekutimin e dytë për protestat anti-qeveritare. I ekzekutuari, Majidreza Rahnavard, ishte dënuar për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë, gjatë protestave në nëntor.

Gjykatat revolucionare të Iranit janë kritikuar nga ndërkombëtarët për shkak se nuk u lejojnë të pandehurve të zgjedhin avokatët apo të kenë qasje në provat që gjykatat kanë kundër tyre.

Aktivistët kanë paralajmëruar se të paktën dhjetëra persona veçse janë dënuar me dënime me vdekje në seanca të mbyllura gjyqësore.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar Teheranin kundër shqiptimit të dënimeve me vdekje për protestuesit, pas proceseve të përshpejtuara gjyqësore, që disa i kanë cilësuar si drejtësi “të rremë”.

XS
SM
MD
LG