Ndërlidhjet

SHBA-ja hedh poshtë raportimet për një draft-marrëveshje kornizë me Iranin

E përditësuar
Teheran, 26 maj 2026.
Teheran, 26 maj 2026.

Shtëpia e Bardhë tha se raportimi nga televizioni shtetëror iranian lidhur me një draft-marrëveshje kornizë mes dy vendeve "nuk është i vërtetë" dhe është "krejtësisht i fabrikuar".

"Askush nuk duhet të besojë atë që raporton media shtetërore iraniane. FAKTET KANË RËNDËSI", u tha në postimin në X të Shtëpisë së Bardhë.

Më herët gjatë së mërkurës, televizioni shtetëror iranian tha se një draft-marrëveshje kornizë me Shtetet e Bashkuara përfshin zotimet për heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, rikthimin e trafikut komercial përmes Ngushticës së Hormuzit dhe zvogëlimin e pranisë ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik.

Sipas raportimit të 27 majit, që citoi një draft-memorandum të mirëkuptimit që “ende nuk është finalizuar”, Uashingtoni pretendohet se është zotuar që të heqë bllokadën detare ndaj Iranit dhe “të ndalë ngacmimin e anijeve që shkojnë drejt Iranit apo largohen nga shteti”.

Në këmbim, Irani do të lejojë rifillimin e lundrimit tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit brenda një muaji, ndërkohë që do të vazhdojë të menaxhojë vijat lundruese, të inspektojë anijet dhe të vendosë tarifa shërbimi, që u prezantuan gjatë luftës së shpërtheu më 28 shkurt.

Në draft po ashtu thuhet se Uashingtoni kanë dhënë “një zotim ndaj Republikës Islamike të Iranit” lidhur me tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni, megjithëse mbetet e paqartë nëse kjo vlen vetëm për forcat e dislokuara gjatë konfliktit apo edhe për bazat e kamotshme amerikane në Gjirin Persik.

Raportimi i televizionit iranian tha po ashtu se të dy palët do të hyjnë në një periudhë negociatash 60-ditore pasi të bien dakord për kornizën.

Në fillim të javës, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se marrëveshja me Iranin ose do të jetë “një marrëveshje e madhe për të gjithë”, ose nuk do të ketë fare marrëveshje. Ai paralajmëroi se dështimi për të arritur një ujdi do të nënkuptojë rinisjen e sulmeve, që tha se do të jenë “më të fuqishme se kurrë më parë”. Por, sipas tij, bisedimet me Iranin po “ecin mirë”.

XS
SM
MD
LG