Ndërlidhjet

Irani: SHBA-ja po “zvarrit” vendimin për marrëveshjen bërthamore


Presidenti iranian, Ebrahim Raisi.
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po “zvarrisin” vendimin për ringjallje të marrëveshjes bërthamore, të cilën Teherani e ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Marrëveshja e vitit 2015 ka paraparë heqjen e sanksioneve për Iranin, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.

Pas vendimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për largimin e SHBA-së nga kjo marrëveshje më 2018, edhe Teherani ka nisur të shmangë disa pika të marrëveshjes.

Por, prej fillimit të këtij viti, vendet anëtare të marrëveshjes, kanë rritur përpjekjet për ringjallje të paktit.

“Sot, janë amerikanët ata që duhet të marrin vendim, mirëpo ata janë duke e zvarritur procesin me këmbët e veta”, u ka thënë Raisi gazetarëve në Teheran.

Komentet e Raisit kanë ardhur pas disa javësh protesta në Iran, të cilat kanë shpërthyer pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini, më 16 shtator, teksa ka qenë në mbajtje nga Policia për Moral, nën arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet shaminë në kokë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore i kanë vënë sanksione të reja Iranit për mënyrën si ka reaguar ndaj protestave për Aminin.

“Republika Islamike dëshiron heqjen e sanksioneve, mirëpo në të njëjtën kohë e ka në agjendë edhe neutralizimin e sanksioneve”, ka thënë Raisi, pa ofruar më shumë hollësi.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se “po tentojnë të ushtrojnë presion politik dhe psikologjik për të siguruar koncesione në negociata”.

Uashingtoni ka thënë më herët gjatë këtij muaji se rikthimi në marrëveshje nuk pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt.

“Nuk është se nuk duam rizbatimin e marrëveshjes bërthamore. Por, ne nuk jemi në pozicionin kur diçka e tillë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Uashingtoni është “i fokusuar” që autoritetet në Iran "të japin përgjegjësi për atë që bëjnë” në protesta, ka thënë mes tjerash Kirby.

XS
SM
MD
LG