Ndërlidhjet

Irani sulmon anije në Ngushticën e Hormuzit, Trumpi thotë se "ata s'mund të na shantazhojnë"

E përditësuar
Një anije në Ngushticën e Hormuzit.
Një anije në Ngushticën e Hormuzit.

Irani ka tërhequr vendimin e një dite më parë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke e mbyllur sërish, për shkak të vazhdimit të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara ndaj porteve iraniane.

Dhe shpresat se transporti detar do të rifillonte përmes Ngushticës së Hormuzit rezultuan jetëshkurtra më 18 prill, pasi forcat iraniane sulmuan të paktën tre anije civile.

United Kingdom Maritime Trade Operations (UKMTO), një monitorues i sigurisë së transportit detar, përshkroi tri sulme — incidentet e para të këtij lloji që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 prill.

Në incidentin e parë, dy anije të armatosura të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) qëlluan mbi një cisternë pa paralajmërim, tha UKMTO-ja.

Më vonë, UNKMTO-ja tha se një anije kontejnerësh u “godit nga një predhë”, ndërsa pati edhe një goditje që mezi u shmang në një sulm ndaj një anijeje të tretë.

Duke folur në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, tha: “U bënë pak të lezetshëm... Donin ta mbyllnin sërish ngushticën, e dini, siç kanë bërë prej vitesh. Dhe nuk mund të na shantazhojnë”.

Por Trump tha gjithashtu se po zhvilloheshin “biseda të mira” me Iranin dhe se “do të kemi disa informacione deri në fund të ditës.”

Irani e kishte rihapur rrugën më 17 prill pas javësh ndërprerjesh pothuajse totale, një veprim i mirëpritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili megjithatë tha se bllokada detare e vendit të tij ndaj porteve iraniane do të mbetej në fuqi.

Ndikimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit Ndikimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:03 0:00

Më herët, të dhënat e gjurmimit të anijeve kishin treguar disa mjete lundruese që po kalonin përmes ngushticës. Por shumë prej tyre u kthyen mbrapsht pasi u përhapën lajmet për vendimin e Iranit dhe sulmet e IRGC-së.

Kompania e inteligjencës detare Windward vuri në dukje në një postim në rrjete sociale se 13 anije kishin bërë “kthesa të papritura 180 gradë, duke ilustruar paqëndrueshmërinë e situatës.”

Ngjarjet dramatike pasuan një atmosferë optimizmi një ditë më parë, kur çmimet globale të naftës kishin rënë ndjeshëm pas njoftimit fillestar për rihapjen.

Por optimizmi u shpërbë pasi mediat shtetërore iraniane njoftuan se vendimi për hapjen e ngushticës ishte kthyer tashmë, në përgjigje të vendimit të Trumpit për të mbajtur në fuqi bllokadën detare të vendit të tij ndaj Iranit.

“Për sa kohë që kalimi i anijeve me origjinë iraniane [ose] drejt destinacioneve iraniane mbetet nën kërcënim, statusi i Ngushticës së Hormuzit do të mbetet në gjendjen e mëparshme,” thuhej në një deklaratë të komandës së IRGC-së.

Ndërkohë, Mahmud Nabavian, anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të parlamentit iranian, tha se negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të çojnë askund dhe se Teherani do të vazhdojë luftën deri në “humbjen e plotë të Trumpit dhe Netanyahut”.

Nabavian, i cili shoqëroi delegacionin negociator iranian në Islamabad, tha në një fjalim në Arak drejtuar “disa zyrtarëve” më 17 prill vonë se “përgjegjësia për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit i takon vetëm Marinës së IRGC-së dhe askush nuk do të ketë të drejtë të ndërhyjë”.

Ligjvënësi nuk i përmendi me emër zyrtarët të cilëve iu referua, por ai më parë ka bërë deklarata në media të afërta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike dhe në rrjete sociale, tonin dhe përmbajtjen e të cilave e kanë dalluar nga ato të anëtarëve kryesorë të ekipit negociator të Iranit me Shtetet e Bashkuara.

Që kur ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapej më 17 prill, ka dalë një valë kundërshtimi dhe kritikash nga fraksionet e ashpra brenda qeverisë ndaj ekipit negociator dhe zhvillimeve e vendimeve të shpallura, duke thelluar ndarjet e brendshme politike.

Në një pjesë tjetër të fjalimit të tij, Nabavian tha se një masë ishte miratuar në komisionin parlamentar të sigurisë sipas së cilës Irani do të bllokonte kalimin e anijeve ushtarake amerikane përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ai shtoi se do të ndalohej gjithashtu kalimi i anijeve nga çdo vend që “i jep baza armikut”.

Masat e miratuara nga komisionet parlamentare duhet ende të votohen në një seancë plenare të parlamentit, pastaj të dërgohen në Këshillin e Gardianëve dhe, pas miratimit përfundimtar, të shpallen zyrtarisht nga presidenti para se të hyjnë në fuqi si ligj.

XS
SM
MD
LG