Ndërlidhjet

Mustafa: Situata në veri, përgatitje për ndarje nga Kosova


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore, janë paralajmërime për ndarjen e veriut nga Kosova, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Idetë e lansuara nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë për ndryshim apo korrigjim të kufirit, Mustafa thotë se mund të bëhen realitet dhe kritikon Qeverinë e Kosovës për inferioritet ndaj këtyre zhvillimeve. Mustafa konsideron se taksa 100 për qind që Qeveria e Kosovës ua ka vënë mallrave të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, nuk është vlerësuar e menduar mirë nga autoritetet e Prishtinës.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka vënë një taksë 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. Si e shihni ju efektin e këtij vendimi dhe sa e mbështetni Qeverinë për këtë masë?

Isa Mustafa: Efektet akoma nuk janë shumë të qarta. Efektet politike, si duket, nuk janë ato që i ka pritur Qeveria e Republikës së Kosovës, sepse propaganda e Serbisë tani po i shfrytëzon këto efekte për interesa të veta. Tani kemi një situatë, e cila ka eskaluar në veri të vendit, me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave, dhe po ashtu me ankesat nëpër tubime se ata kanë problem me bukë, kanë problem me barna, kanë problem me artikuj të tjerë dhe se janë të diskriminuar me këtë. Ndërkaq, kjo masë nuk ka qenë e orientuar ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ka, po ashtu, paralajmërime për ngritje të çmimeve brenda vendit.

Kështu që, unë konsideroj që është një masë, e cila nuk është paramenduar mirë nga Qeveria. Jo që s'e ka merituar Serbia një masë të tillë, porse Qeveria nuk i ka pasur parasysh të gjitha pasojat e kësaj mase.

Ndërkaq, kemi po ashtu edhe reagime ndërkombëtare, edhe të Bashkimit Evropian, dje ka qenë reagimi i Qeverisë gjermane. Kemi pasur, po ashtu, reagime edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të thotë se opinioni ndërkombëtar dhe shtetet mike, e konsiderojnë një masë të tillë si masë të papranueshme, e cila është në kundërshtim me CEFTA-n dhe nuk është në frymën e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.

Radio Evropa e Lirë: Përveç reagimeve nga Serbia, kishte edhe një kundërpërgjigje nga kryetarët e komunave veriore me dorëheqjet e tyre. A shihni ju rrezik nga rrëshqitja, kushtimisht thënë, e veriut në organizimin paralel institucional?

Isa Mustafa: Unë mendoj se, siç thuhet, rreziku është para dere. Rreziku është shumë i madh. Për mua është e pakuptimtë një sjellje totalisht inferiore e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj kësaj çfarë po ndodh në veri, sepse as Qeveria, as Kuvendi nuk po merren me atë çështje. Mendoj se është një çështje shumë serioze.

Dhënia e dorëheqjes nga ana e kryetarëve, pastaj rezoluta që ato do të ndërpresin komunikimin me Prishtinën, përkatësisht me institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, pastaj edhe dorëheqja e prokurorëve dhe gjykatësve në veri të vendit, janë çështje, të cilat duhet të kundërpërgjigjen ose të reagojnë institucionet e Kosovës.

Ne kemi harxhuar një kohë mjaft të gjatë që ta integrojmë këtë pjesë të veriut në institucione të Republikës së Kosovës, konsideroj se ishte arritur mjaft shumë, jo krejt çfarë kemi dashur, prandaj rrëshqitja e veriut nga institucionet e Republikës së Kosovës, është mjaft brengosëse.

Unë e shoh këtë edhe një parapërgatitje për ndarje e veriut nga vendi, sepse ata tani po shfrytëzojnë një propagandë të kulluar në tubimet e tyre. Sigurisht të dirigjuar nga Beogradi dhe nga Vuçiqi në mënyrë të drejtpërdrejtë, kinse ata janë të diskriminuar. Prandaj, unë konsideroj se institucionet e Kosovës, po sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj situatës në veri dhe është rrezik se ajo çfarë është thënë publikisht se duhet të bëhet korrigjimi i kufijve, shkëmbimi i territoreve, ndarja etj, ajo po na ndodh para syve, për shkak të një indolence dhe një sjelljeje të papërgjegjshme të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Të gjitha këto zhvillime po ndërlidhen edhe me procesin e dialogut marrëveshjes eventuale që mund të pritet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Cila duhet të ishte marrëveshja, sipas jush, që Kosova duhet ta synojë në dialogun me Serbinë?

Isa Mustafa: Edhe për opinionin në Kosovë, edhe për gjithë ne, edhe liderët e partive politike, unë flas në këtë rast edhe për LDK-në edhe për mua, është e paqartë se çfarë po synohet me këtë. Kjo, sepse përderisa unë kam qenë kryeministër në asnjë rast në tavolinë nuk është shtruar çështja e një marrëveshjeje përfundimtare ose çështja e kufijve ose çështje tjera, të cilat janë të ndjeshme, të cilat e vënë në pikëpyetje atë çfarë kemi arritur deri në këtë kohë.

Unë konsideroj që Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe pasi të ndodhë kjo, pastaj ne duhet të ulemi dhe për gjërat, për të cilat konsiderojmë bashkërisht se duhet të përparojnë edhe më tutje, duhet të bëjmë progres, të merremi vesh bashkërisht që ato çështje t’i çojmë përpara. Por, për neve është e papranueshme që këto çështje paraprakisht kushtëzohen ose lidhen me afat dhe të thuhet se afati i Komisionit Evropian, është deri në fund të pranverës së vitit të ardhshëm, dhe kjo çështje duhet të përfundohet, sepse janë çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, të cilat mund të lidhen dhe të afatizohen.

Radio Evropa e Lirë: A konsideroni se është ende si opsion ideja e ndryshimit të kufijve?

Isa Mustafa: Për LDK-në në asnjë rast nuk është opsion. Ne assesi s’do të pajtohemi me ndryshimin e kufijve, me korrigjimin, me shkëmbimin e territoreve, sepse ne konsiderojmë se ajo është çështje e përfunduar, kufijtë e Kosovës janë përcaktuar ashtu siç janë përcaktuar kufijtë e republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, të cilat janë shndërruar para Kosovës në shtete. Janë kufijtë, në të cilët Kosova e ka shpallur pavarësinë. Janë kufijtë, në të cilët e ka shpallur Kosova pavarësinë, janë kufijtë për të cilët Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë opinionin pozitiv për të drejtën tonë, që kemi shpallur pavarësinë dhe janë kufijtë të cilët janë të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ne nuk kemi asnjë arsye që tash të merremi me kufij.

Janë çështje të tjera, për të cilat mund të bisedojmë me Serbinë dhe janë çështje për të cilat natyrisht që duhet të gjejmë hapësirë, në mënyrë që të bëhet njohja reciproke nga të dyja vendet, pra njohja e pavarësisë, por jo assesi që kjo të bëhet përmes kompensimit me anë të kufijve ose territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Po sa i përket pozitës së komunitetit serb në Kosovë, çfarë zgjidhje mund të ofrojë Kosova?

Isa Mustafa: Unë konsideroj se ne kemi dhënë maksimumin sa i përket të drejtave të qytetarëve që nuk janë shumicë në Kosovë dhe të serbëve dhe me Pakon e Ahtisarit, ata kanë përfaqësues më shumë se sa, proporcionalisht me numrin e popullsisë, u takon në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Komunat me shumicë serbe, po ashtu, kanë të drejta asimetrike më të mëdha në krahasim me komunat e tjera të Kosovës.

Mirëpo, unë shoh gjithmonë hapësirë që maksimalisht ne t’i shfrytëzojmë të gjitha standardet evropiane për të bërë progres dhe për t'i përparuar të drejtat e popullatës jo shumicë, sepse ajo nuk na dëmton ne, vetëm sa krijon një komunikim apo një atmosferë më të mirë të jetës së të gjithë qytetarëve në Kosovë - në këtë rast unë konsideroj se çështja nuk shtrohet nga Beogradi në këtë formë, por ata janë të interesuar që të marrin një pjesë të Kosovës.

Janë të interesuar që praktikisht ta shkatërrojnë atë çfarë ne kemi arritur deri më tani, e kam fjalën për pavarësinë e Kosovës, sepse unë dyshoj që çështjet janë duke u trajtuar në mënyrë serioze nga ana e Serbisë, por vetë fakti që ata po punojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes një propagande për çnjohjen e Kosovës nga shtetet, të cilat e kanë njohur,ata nuk janë të interesuar që ky proces të shkojë përpara. Ata janë të interesuar që të shkatërrojnë atë çfarë ne kemi arritur gjatë kësaj periudhe dhe ne nuk duhet ta lejojmë në asnjë mënyrë.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë vitit të ardhshëm, LDK-ja do të mbajë zgjedhjet e brendshme. A do të kandidoni përsëri për kryetar të partisë?

Isa Mustafa: Ne nuk e kemi biseduar këtë çështje në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne do të lëmë një proces të hapur. Unë vlerësoj që do të ishte mirë që të kemi sa më shumë kandidatë, të cilët do të tregojnë interesimin e tyre për kryetar të LDK-së. Natyrisht se e gjithë kjo varet nga disponimi që ne e kemi nëpër degë, nëpër nëndegë të LDK-së, në strukturat tona. Dëshirojmë që këtë proces ta përfundojmë dhe ta përmbyllim me një unitet të plotë në LDK, në një pajtueshmëri të plotë.

Unë konsideroj se gjithmonë janë pozitive për partitë politike, veçmas për ne në Kosovë, që të bëjmë tranzicione, të cilat janë pozitive, të cilat krijojnë frymë pozitive dhe për të cilat, natyrisht është e interesuar anëtarësia e LDK-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG