Ndërlidhjet

Izraeli pritet të ndalojë udhëtimet drejt SHBA-së dhe Kanadasë për shkak të Omicronit


Flamuri amerikan.

Ministrat izraelitë janë pajtuar të hënën, 20 dhjetor, që të ndalojnë udhëtimet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe tetë shtete tjera, për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Omicron të koronavirusit.

Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, ka bërë të ditura këto vendime pas votimit të zhvilluar në kabinet.

Ky vendim i rrallë për ta vendosur SHBA-në në listë të kuqe vjen në kohën kur numri i të infektuarve me koronavirus është rritur dukshëm në Izrael.

Shtetet e Bashkuara do t’iu bashkohen vendeve evropiane dhe destinacioneve tjera drejt të cilave Izraeli e ka ndaluar udhëtimin dhe prej të cilave udhëtarët kur të kthehen në Izrael, duhet t’i nënshtrohen karantinës.

Një komitet parlamentar pritet të japë miratimin final për këtë propozim.

Nëse autorizohet, ndalesa do të nisë së zbatuari nga dita e mërkurë.

Izraeli është përballur me rritje të numrit të rasteve të reja me koronavirus dhe ka nisur të mbyllë kufijtë me disa shtete nga muaji nëntor.

Të huajt nuk mund mund të hyjnë në Izrael, derisa të gjithë izraelitët që shkojnë në këtë shtet duhet t’i nënshtrohen karantinës, përfshirë personat e vaksinuar plotësisht.

Vendet tjera që pritet t’i shtohen listës së kuqe nga dita e mërkurë janë: Belgjika, Gjermania, Hungaria, Italia, Maroku, Portugalia, Zvicra dhe Turqia.

Izraeli ka qenë i shpejtë në imunizim të popullatës ndaj këtij virusi.

Deri më tani, 4.1 milionë banorë nga 9.3 milionë sa ka i gjithë shteti, kanë marrë dozën e tretë të vaksinës së prodhuar nga Pfizer/BioNTech.

Deri të dielën, 19 dhjetor, Ministria e Shëndetësisë në Izrael ka raportuar 175 raste të reja me variantin Omicron.

Prej shpërthimit të pandemisë, Izraeli ka regjistruar 8,232 viktima me koronavirus.

XS
SM
MD
LG