Ndërlidhjet

Izraeli dhe Franca pajtohen ta trajtojnë bashkë çështjen e softuerit Pegasus


Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett.

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron ranë dakord që të dyja vendet ta trajtojnë “në mënyrë të kujdesshme dhe profesionale” çështjen e programit të spiunimit Pegasus.

Në muajin korrik, një hetim i kryer nga 17 mediume – përfshirë Le Monde – ka krijuar lidhje në mes të kompanisë izraelite NSO, e akuzuar për furnizim të qeverive me softuerin Pegasus, me një databazë me mbi 50,000 numra telefonash, që besohet se janë identifikuar si persona me interes nga klientët e kompanisë, prej vitit 2016.

Izraeli ka hetuar nëse softueri Pegasus i firmës kibernetike NSO Group, i cili mund të hakojë telefona është keqpërdorur në shkallë globale.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit mbikëqyr eksportet e mjeteve të spiunimit kibernetik siç është Pegasus.

Telefoni i presidentit të Francës, Emmanuel Macron ishte në një listë të objektivave të mundshëm të përgjimit duke përdorur softuerin Pegasus nga Maroku, raportoi gazeta franceze Le Monde.

Maroku i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se nuk e posedonte Pegasusin.

Macron ka bërë thirrje për një hetim.

Vetë kompania NSO ka hedhur poshtë çfarëdo keqbërje, duke thënë se softueri është krijuar për të ndjekur kriminelë dhe terroristë dhe është i qasshëm vetëm për ushtrinë, zyrtarë për zbatim të ligjit dhe agjenci të inteligjencës, me nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut.

Pegasus infekton pajisjet iPhone dhe Android, duke u mundësuar operatorëve që të incizojnë bisedat telefonike, të kenë qasje në mesazhe, fotografi, emaila, fjalëkalime, si dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofona dhe kamera.

Një zyrtar izraelit, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se gjatë takimit “u dakordua që tema do të vazhdojë të trajtohet në mënyrë të fshehtë dhe profesionale në frymën e transparencës mes dy palëve”, raporton Reuters.

Bennett dhe Macron u takuan në Glasgou gjatë konferencës së OKB-së për klimën dhe folën për sfidat globale, me fokus programin bërthamor iranian, tha zyra e kryeministrit Bennett.

XS
SM
MD
LG