Ndërlidhjet

Izraeli heq gati të gjitha kufizimet nga koronavirusi


Tel Aviv, Izrel
Tel Aviv, Izrel

Pas një rënieje të mprehtë të infeksioneve, Izraeli do t’i heqë pothuajse të gjitha masat për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë tha të martën se rregullat nën të ashtuquajturën Pasaportë të Gjelbër skadojnë sot.

Kjo do të thotë që institucionet publike do të jenë të hapura si për njerëzit e vaksinuar, ashtu edhe për të pavaksinuarit.

Të gjitha kufizimet për vizitat në restorante, dyqane dhe ngjarje kuluturore do të hiqen po ashtu.

Megjithatë, veshja e maskës në ambiente të mbyllura do të mbetet e obligueshme dhe ndalesat për shumicën e udhëtarëve drejt Izraelit do të vazhdojnë.

Vendi me 9 milionë banorë ka zbatuar me sukses fushatën e vaksinimit qysh më 19 dhjetor.

Më shumë se 90 për qind e njerëzve të moshës 50 vjeç e lart janë vaksinuar ose shëruar nga koronavirusi.

Infeksionet e reja në Izrael kanë rënë ndjeshëm muajve të fundit.

Të martën, numri i rasteve të reja me koronavirus ra në nivelin më të ulët në më shumë se një vit. Vetëm katër raste të reja u regjistruan sot.

Raste aktive në Izrael aktualisht janë 350.

XS
SM
MD
LG