Ndërlidhjet

Marshi i nacionalistëve izraelitë rrit shqetësimet për shpërthim të dhunës


Flamuri izraelit.

Grupet e ekstremit të djathtë në Izrael pritet të mbajnë një marsh kontrovers në Jerusalemin Lindor më 15 qershor, duke rrezikuar shpërthim të ri të dhunës në mes të Izraelit dhe militantëve të Gazës.

Nacionalistët e të djathtës ekstreme pritet të mbajnë një paradë në zonën myslimane të Jerusalemit Lindor, duke bartur flamurin kaltër e bardhë të Izraelit.

Palestinezët e shohin marshin si provokim ndërsa Fatah e Hamas, dy organizatat më të mëdha palestineze, kanë bërë thirrje për “ditë të zemërimit” në Gaza dhe Bregun e pushtuar Perëndimor.

Liderët e Hamasit, që udhëheqin Gazan, kanë paralajmëruar për rikthim të armiqësive, nëse marshi realizohet.

“Ne po paralajmërojmë për pasoja të rrezikshme që mund të rezultojnë nga qëllimi i fuqisë pushtuese që të lejojë ekstremistët izraelitë të zhvillojnë marshin me flamur në Jerusalemin e pushtuar”, ka thënë kryeministri i Autoritetit palestinez Muhammad Shtayyeh, përmes një postimi në Twitter.

Protestat palestineze është planifikuar që të nisin në mëngjesin e së martës në Rripin e Gazës.

Hamasi dhe Fatah u kanë bërë thirrje palestinezëve që të nisen drejt zonës së Qytetit të Vjetër në Jerusalemin Lindor, në zonën ku pritet të mbahet marshi.

Tensionet në Jerusalem kanë rezultuar me nisje të raketave nga Hamasi në 11 ditë luftime, në muajin maj.

Grupet e ekstremit të djathtë kanë ricaktuar datën 15 qershor për mbajtje të marshit, pas arritjes së armëpushimit.

Ky marsh përbën sfidë për kryeministrin izraelit Naftali Bennett, i cili ka marrë këtë pozitë më 13 qershor, i përkrahur nga një koalicion i brishtë.

Qeveria e Bennett ka miratuar marshin më 14 qershor.

XS
SM
MD
LG