Ndërlidhjet

Kujdesi që të shpëton 


Arnisa Osmani thotë se kur u diagnostikua me kancer në gji i premtoi vetes se do të luftonte deri në fund.

Ishte muaji korrik i vitit 2018 kur Arnisa Osmani vërejti se trupi i saj nuk po funksiononte si më parë.

Pas disa prekjeve që ajo u bëri pjesëve të gjoksit, vërejti se diçka nuk ishte në rregull.

Ndërkaq, pas vizitave dhe analizave u konstatua se ajo ishte prekur nga kanceri në gji.

Arnisa, mbi të dyzetat, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon sesi e ka kuptuar që është prekur nga kanceri.

Ajo çdo pyetje i përgjigjet e vendosur dhe e patrembur për operacionin e radhës që thotë se së shpejti do t’i nënshtrohet.

Arnisa mendon se një nga shenjat që mund të jetë indikator se dikush është i prekur nga kanceri i gjirit është dhimbja e shpeshtë e shpinës.

Arnisa Osmani u diagnostikua me kancer në gji më 2018.
Arnisa Osmani u diagnostikua me kancer në gji më 2018.

“Ka qenë ditë e diel kur e vërejta një gjëndër në gjirin e majtë, që nuk lëvizte. E preka edhe gjirin e djathtë në të njëjtin vend dhe e vërejta një gjëndër, por ajo ishte lëvizëse. Aty më kapi paniku. Nga ajo që isha e informuar, gjëndrat që nuk lëvizin nuk janë normale dhe janë të rrezikshme”, rrëfen ajo.

Pas konsultimeve me mjekë, Arnisa nuk ishte menduar shumë, por thotë se bëri shumë analiza, kontrolle e biseda me mjekë.

“Kur kam biseduar me doktoreshën e pash që filloi të ndryshojë pamja e saj dhe e kam pyetur: ‘Doktoreshë a është diçka keq?’. Ajo më tha se është një gjëndër e keqe, 99 për qind e keqe, 1 për qind është e mirë. Më erdhi si një bum. Ajo (doktoresha) nuk më tha që është kancer, por një gjëndër e keqe. Më shkuan dy lot, por ajo më tha ‘nuk ka lot se të humbet imuniteti’”, tregon Arnisa.

Arnisa kur e kuptoi se në trupin e saj kishte prezencë të kancerit thotë se ka folur me veten dhe i ka bërë një premtim vetes: se do të luftojë deri nuk fund dhe nuk do të dorëzohet.

Sipas saj, beteja nuk ishte aq e lehtë.

“Betejën e fitova. Sado e vështirë apo mund të duket e lehtë, por pa kaluar në atë udhëtim askush nuk të beson. Të beson vetëm ai apo ajo që ka kaluar në atë fazë”, shprehet Arnisa.

Arnisa tregon dy momentet më të rënda gjatë betejës së saj kundër kancerit.

“Momenti i parë ka qenë kur kam thënë se si do ta shoh veten në pasqyrë në momentin kur ta largoj fashën që kam pasur në gji dhe e dyta ka qenë rënia e flokëve edhe pse flokët bien dhe dalin sërish”, tregon ajo.

Arnisa deri më tani ka kryer dy operacione dhe pas pak kohe pritet që t’i nënshtrohet edhe një operacioni për largimin e gjirit tjetër.

Ajo thotë se askush nuk duhet të ketë hezitim që të bëjë kontrolle mjekësore dhe kërkon që të gjithë të flasin hapur për sëmundjet që kanë. Sipas Arnisës, e gjithë kjo eksperiencë veçse e ka bërë më të fortë.

“(Sëmundja) E ka shfaqur Arnisën e vërtetë, ashtu çfarë jam. Më ka ndërruar 365 shkallë sepse gjithmonë kam qenë e butë duke thënë ‘po, po’, nuk kam kundërshtuar, që ka qenë gabim i madh. Kam përbirë shumë. Tash jam Arnisa dhe më janë hapur sytë. Edhe kam lidhur inat me veten dhe kam thënë se ‘deri në fund, çka do që më del përpara do ta mundi’”, shprehet ajo.

Arnisa së bashku me koleget e saja të punës.
Arnisa së bashku me koleget e saja të punës.

Mjekët u bëjnë thirrje grave dhe vajzave që të bëjnë kontrolle mjekësore nëse vërejnë diçka të dyshimtë në gjoksin e tyre, pasi mjekimi i sëmundjeve të kancerit të gjirit bëhet edhe në Kosovë.

Onkologu Arben Bislimi thotë për Radion Evropa e Lirë se rastet që paraqiten në spitale, kryesisht janë raste që paraqiten me vonesë. Ai thotë se zbulimi i hershëm i sëmundjes është çelësi i vetëm që hap mundësinë për trajtim të suksesshëm.

“Rekomandimet janë që pas moshës 40-vjeçare, çdo grua duhet së paku një herë në vit ta bëjë mamografinë. Por, jo vetëm, edhe moshat më të reja se 40, nëse i përkasin kategorive me risk eventual, duhet ta bëjnë (mamografinë). Kurse, pas moshës 20-vjeçare çdo grua duhet të njoftohet me veten, me trupin e saj, të bëjë vetë ekzaminimet, vetë kontrollet dhe ultrazë nëse ka nevojë, meqenëse kanceri i gjirit është sëmundje e cila nuk parandalohet ndryshe”, thotë Bislimi.

Onkologu Bislimi shpjegon se rastet që paraqiten për herë të parë në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë kryesisht të stadit të tretë e të katër, dhe ka më pak raste që janë në stadin e dytë dhe të parë të sëmundjes.

Në Klinikën e Onkologjisë, prej janarit deri në pjesën e parë të shtatorit të vitit 2021 janë ofruar rreth 200,000 shërbime mjekësore onkologjike për pacientët e prekur me kancer.

Gjatë kësaj periudhe janë diagnostikuar 1,100 raste të reja me kancer. Më shumë se 300 gra janë diagnostikuar me kancer të gjirit.

Arnisa ka një porosi për gratë në përgjithësi.

Arnisa Osmani kërkon që të gjitha gratë dhe vajzat të bëjnë kontrolle mjekësore.
Arnisa Osmani kërkon që të gjitha gratë dhe vajzat të bëjnë kontrolle mjekësore.

“Jeta për mua është ‘Dolce Vita’ (Jetë e ëmbël), ashtu e shoh jetën. Jeta është e mirë, jeta është e ëmbël. Pasi që i kalon disa sfida dhe pasi të hapen sytë, janë disa gjëra që të stopojnë, por unë veten e kam bërë gladiator. Gladiatori është ai i cili mundohet të fitojë pavarësisht se çka i del përpara, ai mundohet të fitojë. Unë kam fituar dhe i lus edhe të tjerat, nëse diagnostikohen (me kancer), mos ta marrin që është fundi i botës. Shërim ka për gjithçka, por kujdesi duhet të jetë gjithmonë”, porosit Arnisa.

Muaji tetor në gjithë botën shënohet si muaj i ndërgjegjësim për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG