Ndërlidhjet

Katari angazhon ish-prokurorin amerikan pas akuzave për mbështetje të terrorizmit


Katar, foto ilustrim
Katar, foto ilustrim

Qeveria e Katarit e ka angazhuar ish-prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, për të ndihmuar vendin rreth akuzave të fqinjëve arabë dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, se Katari e mbështet terrorizmin.

Katari do të paguajë kompaninë ligjore Ashcroft, 2.5 milionë dollarë, për 90 ditë pune. Me këtë veprim Katari synon të konfirmojë përpjekjet për të luftuar terrorizimin si dhe të përputhë rregulloren financiare, duke përfshirë rregullat e thesarit amerikan.

Njoftimi për angazhimin e kompanisë Ashcroft ishte i përfshirë në një dosje të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, në përputhje me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj.

Në një letër të paraqitur në dosjen e kompanisë ligjore Ashcroft, bashkëpunëtori, Michael Sullivan ka thënë se puna e kompanisë “do të përfshijë menaxhimin e krizave, programin dhe analizën e sistemit, punën e mediave, edukimin dhe mbrojtjen e klientave varësisht nga historiku i tyre, si dhe përpjekjet aktuale dhe ato të ardhshme për të luftuar terrorizmin global".

Katari është duke u përballur me izolim nga vendet e tjera arabe, siç janë Arabia Saudite, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, të cilat kanë shkëputur marrëdhëniet e tyre me kryeqytetin Doha më 5 qershor, pas akuzave se Katari po mbështet militantët e Shtetit Islamik dhe kundërshtarin e tyre Iranin.

Katari i ka mohuar këto akuza.

Më 8 qershor, shtetet arabe të udhëhequra nga Arabia Saudite, kanë prezantuar një listë të personave dhe organizatave duke i cilësuar si “terroriste” dhe që janë të lidhura me Katarin.

Në këtë listë është i përfshirë edhe Yousef al-Qaradawi, udhëheqësi egjiptian i Vëllazërisë Myslimane, së bashku me 12 organizata tjera bamirëse të financuara nga Katari.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë më 9 qershor se Katari “ka qenë historikisht financues i terrorizmit në një nivel të lartë”.

Deklaratat e presidentit Trump kanë ardhur pak pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u ka bërë thirrje Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj të zbusin “bllokadën e tyre” ndaj Katarit.

"Kur peshku i madh e ha të voglin"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:21 0:00

Arabia Saudite ka thënë të ketë vlerësuar vërejtjet e presidentit Trump rreth Katarit.

Moska ka bërë thirrje për dialog në mënyrë që të rregullohen marrëdhëniet.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka thënë më 10 qershor se Ankaraja shpreson që ndarja mes “vendeve myslimane” do të përfundojë “përmes një dialogu paqësor para festave fetare”, duke iu referuar kështu festës së Bajramit që shënon fundit e Ramazanit.

Turqia, sikurse Katari, ka mbështetur Vëllazërinë Myslimane, e cila ka udhëhequr Qeverinë e Egjiptit në vitin 2013, por më pas është larguar nga pushteti prej presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi.

Ndërkohë, grupi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut Amnesty International, ka paralajmëruar se njerëzit kanë ndjerë "zemërim dhe frikë" pas këtij kryqëzimi diplomatik.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG