Gazetari dhe aktivisti shqiptar Osman Stafa është kërcënuar me vdekje përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook.
Ai thotë se kërcënimi lidhet me një video të publikuar prej tij më 8 shtator, ku tregohet shoqërimi i një personi që kishte një qese me vezë, nga disa persona civilë që e shoqërojnë drejt furgonit të Policisë, së bashku me punonjës të rendit. Video është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë në fillim të sesionit të ri parlamentar.
Në Shqipëri protestat kundër Qeverisë të udhëhequr nga Edi Rama po mbahen për më shumë se 100 ditë.
Në një bisedë me Radio Evropa e Lirë, gazetari Stafa tha se mesazhi kishte mbërritur në llogarinë e tij në Facebook një ditë pas publikimit të videos, por e kishte parë vetëm të hënën, më 14 shtator.
“Adresa nga ka ardhur mesazhi është me emër dhe mbiemër, por aktualisht është e çaktivizuar. Unë e kam parë vetëm sot dhe menjëherë kam bërë denoncim në Polici. ‘Mbaje mend do të vras, këtë ta garantoj’ është përmbajtja e mesazhit”, thotë Stafa.
Ai tregon se në videon që ka publikuar më 8 shtator, duket një burrë që kishte një qese me vezë, i cili shtrihet në tokë nga civilë dhe më pas mbërrijnë dhe punonjës të rendit dhe e shoqërojnë në furgonin e policisë.
“Qytetari nuk ishte as afër Kuvendit atë ditë, ku po protestohej. Ai ishte në bulevardin kryesor. As nuk po qëllonte askënd me vezë. Në video unë ngre një pyetje të thjeshtë: Si mund të ndalohet një individ se ka vezë me vete? Nuk kishte as armë, as thikë. Dhe nga e dinë policët nëse vezët i kishte blerë për t’i përdorur si mjet proteste apo për t’i çuar në shtëpi”, thotë Stafa për Radion Evropa e Lirë.
Pas denoncimit të gazetarit, policia tha se mesazhi me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social, dyshohet se është dërguar nga një llogari false.
“Po punohet për identifikimin e autorit. Materialet janë referuar në Prokurori, për veprat penale ‘falsifikim kompjuterik’, ‘përndjekje’ dhe ‘kanosje’”, thonë nga Policia shqiptare.
Gjithashtu Policia e Shtetit shprehu angazhimin për të garantuar sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni.
Për ngjarjen reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) duke e cilësuar si të papranueshme.
“Kërcënimet me vdekje ndaj një gazetari, veçanërisht kur lidhen me ushtrimin e detyrës dhe publikimin e materialeve me interes publik, përbëjnë një sulm të rëndë jo vetëm ndaj sigurisë individuale të gazetarit, por edhe ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar”, tha ky Asociacion.
AGSH kërkoi nga Policia që kërcënimet ndaj gazetarëve të të mos normalizohen dhe as të mbeten pa autor.
Opozita, përmes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, dënoi kërcënimin me vdekje ndaj gazetarit Osman Stafa dhe kërkoi hetim të menjëhershëm, të plotë e transparent për rastin. PD kërkoi identifikimin e autorit, sqarimin e veprimeve personave me veshje civile të dokumentuar në pamjet e protestës dhe garantimin e sigurisë së gazetarit. Partia e Lirisë, po ashtu kërkoi transparencë mbi veprimet e strukturave të policisë të dokumentuara në video.
Vetë gazetari reagoi në rrjetet sociale duke thënë se pavarësisht kërcënimit me vdekje, por edhe sulmeve dhe presioneve që ka pasur nuk do të tërhiqet nga denoncimi i fakteve apo materialeve që kanë interes për publikun.
Osman Stafa ushtron profesionin e gazetarit që prej vitit 2013. Prej shtatë vjetësh ai punon në televizionin informativ News24 në Tiranë, ku raporton mbi çështje politike dhe sociale. Në vitin 2023, fitoi vendin e dytë në çmimin e Bashkimit Evropian për gazetari hulumtuese, për një shkrim mbi mungesën e ilaçeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.