Ndërlidhjet

Kërkohen masa konkrete kundër ndotjes së ajrit


Mjegull dhe ndotje e ajrit në Shkup. 14 dhjetor, 2017

Ndotja e ajrit sërish ka alarmuar banorët e Shkupit. Qytetarët kërkojnë masa konkrete nga institucionet, jo vetëm kur nivelet e ndotjes kalojnë normat e lejuara, por kërkojnë masa të vazhdueshme parandalimi.

Nga sektori civil thonë se institucionet nuk duhet të presin që ndotjen ta largojnë erërat dhe u sugjerojnë hartimin e një strategjie afatgjatë për luftimin e këtij fenomeni. Si pasojë e ndotjes, institucionet shëndetësore raportojnë për rritjen e numrit të qytetarëve që kërkojnë ndihmën mjekësore.

Një grua ka vendosur maskë në fytyrë për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur në Shkup. 27 dhjetor, 2017
Një grua ka vendosur maskë në fytyrë për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur në Shkup. 27 dhjetor, 2017

Sipas të dhënave të fundit, ndotja është pak mbi normat e lejuara, por kjo ulje nuk është si rezultat i masave të ndërmarra nga Qeveria, por falë kushteve atmosferike, gjegjësisht erës që ka përfshirë kryeqytetin e Maqedonisë. Qytetarët thonë se reagimet e pushtetit lokal dhe atij qendror, duhet të jenë të përhershme dhe jo të presin ndryshimet klimatike për përmirësimin e gjendjes, pasi ndotja është e pranishme dhe ajo mund të jetë larguar vetëm për momentin.

“Duhet të punohet, duhet të niset prej ndonjë këndi, nëse duam që të kemi ambient më të pastër. Nëse rrimë dhe presim që pastërtia të vjen vetvetiu nga natyra, nuk ka gjë, do të vazhdojmë të helmohemi pasi ndotja është evidente”, thotë Dragan Cvetkovski, një qytetar që kishte dalë në një protestë para Komunës së Shkupit, të organizuar përmes rrjeteve sociale.

Protesta kundër ndotjes së ajrit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

(Video: Protestë në Shkup kundër ndotjes së ajrit. 16 dhjetor, 2017)

Se pasojat nga ndotja e madhe e ajrit po rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve flet edhe Dejan Dokiq, drejtor i Klinikës së Mushkërive dhe organeve të frymëmarrjes në Qendrën Klinike Universitare të Shkupit.

“Paraqiten pacientë të ndryshëm që vuajnë nga astma, bronkit kronikë, ndërsa nuk është i vogël as numri i atyre që vuajnë nga pneumonia, e gjithë kjo për shkak të efekteve nga ndotja e madhe e ajrit që e përkeqëson edhe më shumë gjendjen. Nuk ka masa që mund të japin efekte të menjëhershme, por duhet angazhim më i madh, nëse jo për të zgjidhur problemin, të paktën për të mbajtur nën kontroll”, thotë Dokiq.

Nga mesi i muajit dhjetor, ndotja në Shkupi kishte thyer rekordet botërore me praninë e grimcave PM10 shumë herë mbi normat e lejuara. Ndotja që nxiti protesta e reagime të shumta ishte e pranishme disa ditë deri në paraqitjen e një ere që e largoi, për tu rikthyer sërish gjatë ditëve të festave.

Veturat duke lëvizur nëpër mjegull të dendur dhe ajrit të ndotur në Shkup. 14 dhjetor, 2017
Veturat duke lëvizur nëpër mjegull të dendur dhe ajrit të ndotur në Shkup. 14 dhjetor, 2017

Masat e ndërmarra nga institucionet, si transporti urban pa pagesë me qëllim të mospërdorimit të makinave dhe masa tjera nuk dhanë thuajse asnjë efekt. Nga sektori civil thotë se nuk mjaftojnë vetëm se angazhimet deklarative apo reagimet, që vijnë vetëm se kur ndotja kalon normat e lejuar.

“Fatkeqësisht deri tani gjithçka është deklarative, gjithçka është në suaza të asaj se do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë, por nuk është bërë asgjë domethënëse. Mendoj se reagimet duhet të jenë të vazhdueshme, pasi nuk duhet të reagohet vetëm kur ndotja është e lartë. Sikur kemi një sinkronizim mes sektorit civil dhe shtetit që të reagojmë vetëm kur ndotja është e lartë, që mendoj se është veprim i gabuar, pasi pavarësisht se çfarë tregojnë matësit, ndotja është në ajër pavarësisht nëse era e bartë apo kushtet klimatike e zbusin, megjithatë ndotja vazhdimisht po krijohet”, thotë Arianit Xhaferi nga shoqata “Eco Guerila”.

Fotografi e bërë nga mali Vodno, ku shfaqen disa prej ndërtesave më të larta në Shkup, të cilat gjenden mbi re në disa prej zonave me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit. 15 dhjetor, 2017
Fotografi e bërë nga mali Vodno, ku shfaqen disa prej ndërtesave më të larta në Shkup, të cilat gjenden mbi re në disa prej zonave me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit. 15 dhjetor, 2017

Faktorë kryesorë të ndotjes, bazuar në prononcimet e zyrtarëve, janë numri i madh i makinave, djegia e lëndëve të ndryshme për ngrohje, por edhe faktorë të tjerë.

Ndotja e ajrit në qytetin e Shkupit
Ndotja e ajrit në qytetin e Shkupit

Për të evituar këtë gjendje, sipas organeve kompetente, nevojitet kohë ndërsa zgjidhjen e shohim tek transporti modern elektrik, gazifikimi i qytetit, evitimi i djegieve të gomave dhe lëndëve tjerë helmuese në ambient të hapur, kufizimi i punës të ndotësit të mëdhenj industrialë apo plotësimi i standardëve ekologjike, e masa tjera.

XS
SM
MD
LG