Ndërlidhjet

Këshilltari i Trumpit për çështje fetare viziton Manastirin e Deçanit

Në shoqërinë e patriarkut serb Porfirije, këshilltari i Trumpit viziton Kosovën.
Në shoqërinë e patriarkut serb Porfirije, këshilltari i Trumpit viziton Kosovën.

Këshilltari joformal për çështje fetare i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pastori Mark Burns, po qëndron për vizitë në Manastirin e Deçanit - manastir mesjetar i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Sipas njoftimit të Kishës Ortodokse Serbe, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, e njohu Burnsin me “historinë e pasur të kësaj faltoreje, e cila ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”.

Burns mbërriti në Kosovë më 5 korrik, ku, në shoqërinë e patriarkut serb Porfirije, vizitoi edhe Patriarkanën e Pejës.

“Nuk kam ardhur për të thelluar ndarjet. Kam ardhur të dëgjoj, të lutem dhe të mbështes paqen, pajtimin dhe shërimin në mbarë Kosovën dhe Ballkanin. Zoti e mbroftë çdo familje, çdo kishë, çdo manastir dhe çdo komunitet që përpiqet të jetojë në paqe”, shkroi Burns në rrjetin social X.

Eparkia e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë njoftoi se Berns e vizitoi edhe Manastirin e Graçanicës, i cili gjithashtu ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

"Gjatë vizitës në manastir, pastori Berns e vëzhgoi me shumë vëmendje afreskun e njohur të Graçanicës dhe u njoh me historinë e kësaj qendre të rëndësishme shpirtërore, kulturore dhe artistike të popullit serb në Kosovë", thuhet në njoftim.

Ajo nuk dha hollësi nëse drejtuesit e Kishës Ortodokse Serbe kanë biseduar me pastorin Berns për pozitën e Kishës Ortodokse në Kosovë, apo për çështje të tjera.

Përndryshe, liritë fetare përmenden edhe në Marrëveshjen për Normalizimin Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, e cila është nënshkruar në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.

Në marrëveshje thuhet, mes tjerash, se “të dyja palët angazhohen të respektojnë liritë fetare, përfshirë rivendosjen e dialogut ndërfetar, mbrojtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që mbrojnë Kishën Ortodokse Serbe”.

Edhe në vitin 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, ku përmendet edhe formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

Në atë aneks thuhet se “Kosova duhet të sigurojë një nivel shtesë mbrojtjeje për objektet dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.

Ndonëse Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, ka deklaruar se ajo është juridikisht detyruese për të dyja palët.

Në gusht të vitit të kaluar u publikuan disa pretendime se Kisha Ortodokse Serbe ishte në negociata me institucionet e Kosovës për një “marrëveshje themelore”, por Dioqeza Rashkë-Prizren i mohoi ato raportime.

Para vizitës në Kosovë, më 4 korrik, pastori Burns ishte në Bratunac, në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, në shënimin e 34-vjetorit të vrasjes së disa serbëve në rajonin e Podrinjes së Mesme dhe Birit.

Një ditë më herët, ai zhvilloi edhe një takim në Patriarkanën në Beograd me patriarkun serb Porfirije.

XS
SM
MD
LG