Ndërlidhjet

Kina në shënjestër të Trumpit


Presidenti i SHBA-së, Doland Trump.
Presidenti i SHBA-së, Doland Trump.

Një video amatore në muajin korrik dukej se tregonte punëtorët në Konsullatën e Kinës në Hjuston duke djegur dokumente, pak pasi Shtetet e Bashkuara urdhëruan mbylljen e saj, për arsye të sigurisë kombëtare.

Zjarri në oborr – i dukshëm nga ndërtesat afër – simbolizonte marrëdhëniet e ndezura midis dy ekonomive më të fuqishme të botës.

Vendimi për të mbyllur konsullatën është një nga veprimet e shumta të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për ndëshkimin e Kinës për një mori veprimesh dhe ankesash – disa të reja dhe disa të vjetra – në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në SHBA.

Shanset e Trumpit, republikan, për të mundur rivalin e tij demokrat, Joe Biden, kanë rënë prejse koronavirusi – i cili ka dalë nga Kina në fund të vitit të kaluar – ka dobësuar ekonominë në rritje amerikane, e cila ka qenë një nga kartat më të forta të tij për rizgjedhje.

Si zgjidhet një president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:08:58 0:00

Trump që atëherë ka rritur presionin ndaj Kinës, duke vendosur sanksione ndaj zyrtarëve për abuzim me të drejtat e njeriut dhe duke ua kufizuar hyrjen në treg kompanive kineze të teknologjisë, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Trump përpiqet ta paraqesë sfiduesin e tij si një politikan që ka shitur interesat amerikane në Kinë, kur ka qenë nënpresident në administratën e Barack Obamës.

Kritikët thonë se Trump thjesht po përpiqet ta hedhë fajin në Kinë për, siç thonë ata, keqmenaxhimin e pandemisë së koronavirusit, e cila ka shkaktuar rritje të papunësisë në SHBA dhe mbi 200,000 viktima – më shumë se në çdo vend tjetër.

Megjithatë, politika e ashpër ndaj Kinës, e nisur nga Trump, mund të vazhdojë në masë të madhe, edhe nëse ai i humb zgjedhjet e nëntorit, thonë ekspertët.

Abuzimet me të drejtat e njeriut, që i bën regjimi kinez në provincën perëndimore Ksinjiang dhe në Hong Kong, si dhe përpjekjet e Pekinit për të riorientuar rendin botëror liberal ndërkombëtar kanë shqetësuar politikanë edhe në Partinë Republikane, edhe në Partinë Demokratike në SHBA.

"Mendoj se ajo që ka bërë presidenti Trump është e re në disa mënyra. Do të jetë shumë e vështirë për këdo që fiton në nëntor, t’i kthehet një qasjeje më të përshtatshme dhe më bashkëpunuese ndaj Pekinit", thotë për Radion Evropa e Lirë Timothy Heath, specialist për Kinën në Institutin RAND Corporation.

Heath thotë se pret që fituesi i zgjedhjeve presidenciale të vazhdojë ta shtyjë Pekinin në ndryshimin e praktikave tregtare, që dëmtojnë Shtetet e Bashkuara – të tilla si subvencionet e shtetit, mbështetja për industritë kryesore dhe vjedhja e teknologjisë – dhe të ndërtojë një koalicion me vendet që kanë ankesa të njëjta.

“Mendoj se edhe Trump, edhe Biden janë të etur për t’i adresuar këto probleme”, thotë Heath.

Sipas tij, të dy kandidatët mund të përpiqen – si president – t’i rrisin investimet e drejtuara nga SHBA-ja në rajonin Indo-Paqësor, për t'iu kundërvënë Nismës së Rripave dhe Rrugëve të Kinës (BRI).

BRI është një program masiv, i mbështetur nga shteti, për ndërtimin e infrastrukturës në të gjithë rajonin dhe në pjesë të tjera të botës, me qëllim lehtësimin e tregtisë.

Por, disa zyrtarë në Perëndim thonë se kjo i jep Pekinit ndikim të tepruar mbi vende më të vogla – shumë prej të cilave marrin hua të mëdha për Pekinin, që shpesh nuk kanë mjete për t’i shlyer.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare

Nën Trumpin, Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga përpjekjet për ta angazhuar Kinën, me shpresën se ky vend njëpartiak do të bëhet partner i besueshëm në një rend ndërkombëtar liberal, të udhëhequr nga Uashingtoni.

Strategjia e parë e sigurisë kombëtare e administratës Trump, e publikuar në dhjetor të vitit 2017, ka paralajmëruar një qëndrim më të ashpër, duke e përshkruar Kinën si një shtet revizionist dhe sfiduese kryesore të Shteteve të Bashkuara.

"Për dekada të tëra, politika e SHBA-së ka qenë e rrënjosur në besimin se mbështetja për rritjen e Kinës dhe për integrimin e saj në rendin ndërkombëtar të pasluftës, do ta liberalizojë Kinën", thuhet në strategji.

"Përkundër shpresave tona, Kina e ka zgjeruar fuqinë e saj në kurriz të sovranitetit të të tjerëve. Kina mbledh dhe shfrytëzon të dhëna në një shkallë të pakonkurrueshme dhe përhap tiparet e sistemit të saj autoritar, përfshirë korrupsionin dhe përdorimin e mbikëqyrjes", thotë strategjia.

Dan Blumenthal, drejtor i studimeve aziatike në Institutin e Ndërmarrjeve Amerikane, me qendër në Uashington, dhe ish-zyrtar i Pentagonit në Kinë, shkroi në një opinion më 23 shtator se Trump "ka bërë më shumë për të ndryshuar diskutimet për Kinën, sesa çdo president tjetër që nga Richard Nixon".

Presidenti i 37-të i SHBA-së, Nixon, i dha fund gati një çerek shekulli pa marrëdhënie SHBA-Kinë, kur vizitoi Pekinin në vitin 1972.

Ndryshimi i mprehtë në qëndrimin e SHBA-së ndaj Kinës nuk do të duhej të ishte befasi për askënd në Pekin ose në Uashington.

Trump ka dërguar sinjale qëkur ka nisur fushatën e tij në vitin 2015 se ai do të niste një politikë të re, më konfrontuese ndaj Kinës.

Një nga premtimet kryesore të fushatës së tij ka qenë fundi i "marrëveshjeve të këqija tregtare", që, sipas tij, kanë bërë që miliona vende pune amerikane të zhvendoseshin jashtë – përfshirë në Kinë.

Në një intervistë në mars të vitit 2016, Trump ka thënë se Kina ka rindërtuar ekonominë e saj me para "të kulluara jashtë SHBA-së" dhe e ka akuzuar Pekinin për "manipulim monetar", duke e zhvlerësuar monedhën e tij.

Kina "ka përfituar prej nesh për shumë, shumë vite dhe ne nuk mund ta lejojmë atë të vazhdojë", ka thënë Trump në atë intervistë.

Mesazhi është mirëpritur në disa shtete tradicionale demokrate, që janë dëmtuar keq nga globalizimi. Ato sigurisht që e kanë ndihmuar Trumpin të mposhtte konkurrenten e tij demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e vitit 2016.

Pastaj, në dhjetor të vitit 2016, një muaj para inaugurimit të tij, Trump ka folur përmes telefonit me presidentin e Tajvanit, Tsai Ing-wen, duke thyer një protokoll që ka nisur në vitet 1970, kur Shtetet e Bashkuara e kanë njohur ishullin si pjesë të Kinës. Pekini e ka cilësuar thirrjen si “shpërfillje”.

Marrëveshja tregtare

Trump, gjatë presidencës së tij, është përqendruar shumë në arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Pekinin, për të përmbushur një premtim tjetër të fushatës që ka bërë në vitin 2016.

Kur bisedimet kanë çaluar në fillim të vitit 2018, Trump ka njoftuar se do të vendosë tarifa mbi mallrat kineze. Pastaj ka pasuar një luftë e drejtpërdrejtë tregtare dhe SHBA-ja ka vendosur tarifa në mallra kineze, në vlerë mbi 250 miliardë dollarë.

Më 15 janar, pas më shumë se dy vjetësh bisedime të vështira dhe me zgjedhjet në horizont, Trump ka nënshkruar një marrëveshje fillestare tregtare me Kinën, që ai e quan Faza Një.

Marrëveshja e obligon Kinën të blejë 200 miliardë dollarë më shumë mallra amerikane – përfshirë energji, produkte bujqësore dhe makineri – për dy vjet, duke i ofruar Trumpit rritje të konsiderueshme të eksporteve, përpara zgjedhjeve.

Marrëveshja tregtare kërkon po ashtu nga Kina që ta hapë ekonominë e saj për më shumë kompani amerikane, të ndalojë t'i detyrojë ato që ta dorëzojnë teknologjinë e tyre, si kusht për të bërë biznes në Kinë, dhe të përmbahet nga marrja e teknologjisë së ndjeshme të SHBA-së përmes blerjeve.

Megjithatë, marrëveshja nuk adreson subvencionet shtetërore për industritë kryesore kineze dhe as spiunimin kibernetik.

Administrata Trump ka premtuar se do t’i rishikojë këto çështje në një marrëveshje vijuese, që e quan Faza Dy.

Biden e ka kritikuar marrëveshjen e Trumpit me Kinën, duke pretenduar se presidenti ka qenë aq i etur për marrëveshje – për të kompensuar ndikimin e luftës tregtare në ekonominë e SHBA-së – saqë ka bërë lëshime thelbësore ndaj Pekinit.

Koronavirusi

Fushata e Bidenit ka thënë se Trump nuk i është kundërvënë Pekinit menjëherë në janar, për shpërthimin e koronavirusit në Kinën qendrore, sepse ai ka pasur frikë se mund ta rrezikojë marrëveshjen e tij tregtare.

Më 24 janar, nëntë ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Trump ka thënë se Kina "ka punuar shumë për të frenuar koronavirusin" dhe se Amerika "i vlerëson shumë përpjekjet dhe transparencën e saj".

Por, brenda disa javësh – kur koronavirusi ka mbyllur pjesë të mëdha të ekonomisë amerikane, duke shkaktuar rritje të papunësisë në prill në gati 15 për qind – Trump ka filluar ta hedhë fajin te Pekini për, siç e quan, “virusin kinez”. Sipas Trumpit, Pekini i ka penguar informacionet dhe ka lejuar përhapjen e sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19, në nivel global.

Ksinjiangu dhe Hong Kongu

Derisa koronavirusi ka vazhduar të dëmtojë ekonominë amerikane, administrata Trump ka nisur të marrë masa të reja për të ndëshkuar Kinën për “sjellje malinje”, përfshirë abuzime me të drejtat e njeriut dhe spiunazh.

Disa kanë filluar t'iu referohen tensioneve të rritura midis dy vendeve si Lufta e Ftohtë 2.0.

Dy javë para mbylljes së konsullatës në Hjuston, Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar një anëtar të lartë të Partisë Komuniste të Kinës, tre zyrtarë të tjerë të lartë dhe një entitet kinez, për përfshirje në ndalimin masiv të 1 milion ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e ka cilësuar ndalimin e tyre si abuzimin më të keq me të drejtat e njeriut që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Ka qenë gjithashtu hera e parë që Uashingtoni ka sanksionuar një anëtar të Byrosë Politike të Kinës, prejse SHBA-ja ka vendosur marrëdhënie të plota diplomatike me këtë vend, në vitin 1979.

Më pak se tri javë më vonë, Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar 11 zyrtarë të Hong Kongut, përfshirë shefen ekzekutive, Carrie Lam, për minimin e autonomisë së territorit dhe kufizimin e lirisë së banorëve të tij.

Po atë javë, Pompeo ka njoftuar për zgjerimin e programit “Rrjeti i Pastër”, për të zvogëluar kapacitetet e Kinës për të vjedhur të dhënat personale dhe sekretet e kompanive në SHBA.

Masat e këtij programi përfshijnë tërheqjen e së drejtës së kompanive të telekomit kinez, për të ofruar shërbim midis Shteteve të Bashkuara dhe destinacioneve të huaja, si dhe heqjen e aplikacioneve të pabesueshme kompjuterike të Kinës nga dyqanet e SHBA-së.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG