Ndërlidhjet

Kina refuzon nevojën për kërkime shtesë rreth origjinës së koronavirusit


Pamje të kryerjes së analizave laboratorike për koronavirus. Fotografi nga arkivi.

Kina ka refuzuar të premten thirrjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rinisje të hetimeve rreth origjinës së koronavirusit, duke thënë se mbështet përpjekjet “shkencore” në vend të atyre “politike” për të kuptuar si është përhapur virusi.

Presioni është duke u rritur sërish ndaj Pekinit, për të hetuar virusin që ka lënë të vdekur më shumë se katër milionë persona dhe ka paralizuar ekonomitë në gjithë botën, prej kur është identifikuar në qytetin kinez Vuhan në fund të vitit 2019.

Në një vizitë të ekipit të OBSH-së me ekspertë ndërkombëtarë, bashkë me homologët e tyre kinezë në janar të këtij viti, nuk është arritur te përfundimi sesi është përhapur fillimisht virusi.

Të enjten, OBSH-ja i ka bërë thirrje Kinës që të ndajë të dhënat fillestare rreth koronavirusit, për të analizuar origjinën e sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.

Mirëpo Kina ka përsëritur qëndrimin e saja, duke thënë se hetimi fillestar ka qenë i mjaftueshëm dhe thirrjet për më shumë të dhëna janë të motivuara nga politika dhe jo shkenca.

“Ne kundërshtojmë gjurmimet mbi baza politike dhe braktisjen e raportit të përbashkët” të lëshuar pas vizitës së ekspertëve të OBSH-së në Vuhan, ka thënë zëvëndësministri i Jashtëm kinez, Ma Zhaoxu.

Në raport është thënë se kalimi i virusit nga lakuriqi në njeri, përmes një kafshe ndërmjetësuese, është skenari më i mundshëm, dhe teoria e daljes së virusit nga laboratori në Vuhan, “është pak i mundshëm”.

XS
SM
MD
LG