Ndërlidhjet

Putin dhe Xi lavdërojnë raportet dypalëshe


Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai kinez, Xi Jingping gjatë një takimi. Fotografi nga arkivi.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai kinez, Xi Jingping zhvilluan një takim virtual të mërkurën, më 15 dhjetor, ku biseduan për raportet dypalëshe dhe për çështjet ndërkombëtare. Ky takim vjen në kohën e rritjes së tensioneve ndërmjet Moskës dhe Perëndimit mbi grumbullimin e trupave ruse afër kufirit me Ukrainën.

Në fillim të takimit, Putin dhe Xi lavdëruan raportet që kanë dy shtetet e tyre, teksa presidenti rus tha se marrëdhëniet Rusi-Kinë “janë shembull i duhur i bashkëpunimit mes shteteve në shekullin 21”.

“Një model i ri i bashkëpunimit është krijuar mes dy shteteve tona që bazohet, ndër të tjera, në parimet të tilla si mosndërhyrja në çështje të brendshme (të shteteve përkatëse), respektimi i interesave të shteteve tona, përkushtimi për ta kthyer kufirin e përbashkët në një brez paqeje të përjetshme dhe fqinjësia e mirë”, tha Putini.

Presidenti Xi tha se homologu i tij rus “mbështet fuqishëm përpjekjet e Kinës për të mbrojtur interesat kyçe kombëtare dhe kundërshton fuqishëm përpjekjet për të krijuar përçarje mes dy shteteve tona”.

Ndërkaq, Putin tha se ai planifikon që të takohet me Xi në Pekin në muajin shkurt dhe tregoi se ai e ka ndërmend që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore.

“Siç jemi pajtuar, ne do të mbajmë bisedime dhe do të marrim pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore”, tha Putin.

Në vitet e fundit, Kina dhe Rusia kanë përafruar politikën e tyre të jashtme për të kundërshtuar dominimin e Shteteve të Bashkuara në ekonominë botërore, por edhe në sferën politike. Dy shtetet janë sanksionuar për shkak të politikave të tyre të brendshme.

Ndaj Kinës janë vendosur sanksione për shkak të shkeljeve të të drejtave të minoriteteve, veçanërisht të myslimanëve ujgurë në Ksinjiang, por edhe për shtypjen e lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong. Ndërkaq, Rusia është përballur me sanksione ndërkombëtare për shkak të aneksimit të paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe për helmimin dhe burgosjen e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Pekini dhe Uashingtoni kanë mosmarrëveshje sa i përket tregtisë, teknologjisë dhe frikësimit ushtarak që Kina i bën Tajvanit, pasi Pekini konsideron se Tajvani është pjesë e territorit të tij.

Raportet mes Rusisë dhe SHBA-së janë përkeqësuar po ashtu pas aneksimit të Krimesë më 2014 dhe mbështetjes që Moska u ofron separatistëve në lindje të Ukrainës. Tensionet janë rritur edhe më shumë javëve të fundit pasi Moska ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Kievi dhe Perëndimi kanë shprehur frikën se Rusia po planifikon që ta pushtojë Ukrainën. Por, Moska ka mohuar se ka plane të tilla dhe ka akuzuar Kievin se ka dërguar trupa në lindje të vendit, me qëllim që të rimarrë kontrollin e zonave që kontrollohen nga separatistët.

XS
SM
MD
LG