Ndërlidhjet

Rihapja e Kinës nxit botën të rrisë kufizimet kundër COVID-19


Disa gra në një qendër tregtare në Pekin të Kinës. 3 janar 2023.
Disa gra në një qendër tregtare në Pekin të Kinës. 3 janar 2023.

Reuters

Më shumë shtete në mbarë botën po kërkojnë që vizitorët nga Kina të paraqesin teste negative për COVID-19. Këto zhvillime vijnë disa ditë para se Pekini të heqë kufizimet e kontrolleve kufitare dhe të rikthejë udhëtimet e popullatës së tij, që ka qenë kryesisht e mbyllur për tre vjet.

Nga dita e diel, Kina do të heqë dorë nga masa për karantinim të udhëtarëve, që ishte masa e fundit në politikën e saj të ashpër “Zero-COVID”. Kina muajin e kaluar nisi lehtësimin e masave, pas protestave kundër politikave për përballje me pandeminë.

Por, ndryshimi i papritur i politikës kundër koronavirusit, ekspozoi ndaj virusit shumë nga 1.4 miliard banorët e Kinës, duke nxitur një valë të re infektimesh që ka mbingarkuar spitalet, ka zbrazur raftet në barnatore dhe ka shkaktuar një alarm ndërkombëtar.

Greqia, Gjermania dhe Suedia të enjten iu bashkuan dhjetëra shteteve të tjera që kërkojnë teste negative për COVID-19 për udhëtarët nga Kina, teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë akuzoi Pekinin se nuk po tregon të dhënat e sakta të situatës me pandeminë.

Zyrtarët dhe media shtetërore kineze kanë mbrojtur menaxhimin e valës së re, duke minimizuar ashpërsinë e rritjes së infektimeve dhe duke kundërshtuar vendosjen e masave nga shtetet e huaja për udhëtarët kinezë.

“Sido që Kina të vendosë të përballet me epideminë COVID-19, disa media perëndimore dhe disa politikanë perëndimorë kurrë nuk do të jenë të kënaqur”, thuhet në një editorial të publikuar në Global Times nga një zyrtar i Partisë Komuniste në pushtet.

Industria botërore e aviacionit, që vetë është përballur me kufizime për shkak të pandemisë, po ashtu ka kritikuar vendimin për të kërkuar teste negative për udhëtarët nga Kina. Pas 8 janarit, edhe Kina do të kërkojë testime para se të nisen për në Kinë udhëtarët që do të vizitojnë këtë shtet.

Disa qytetarë kinezë kanë thënë se vendimi për rihapje ka qenë i nxituar.

“Ata do të duhej të ndërmerrnin një sërë veprimesh para se të vendosnin për rihapje... ose të paktën të siguroheshin që barnatoret të ishin të furnizuara mirë”, tha një burrë 70-vjeçar nga Shangai, që u prezantua vetëm me emrin Zhao.

Të enjten, më 5 janar, Kina raportoi për pesë vdekje nga koronavirusi, duke bërë që numri i përgjithshëm i vdekjeve të arrijë në 5.264. Kjo është ndër shifrat më të ulëta të vdekjeve në botë nga sëmundja COVID-19.

Por, këto shifra besohet se nuk përkojnë me realitetin në terren, pasi morgjet janë të mbushura me viktima dhe spitalet janë të mbingarkuara me pacientë të moshuar që janë në respiratorë. Në Shangai, mbi 200 shoferë taksie po ngasin autoambulancat, pasi ka mungesë të stafit, raportoi Shanghai Morning Post.

Ekspertët ndërkombëtarë të shëndetit besojnë se definicioni i ngushtë i Pekinit për vdekjet nga COVID-i nuk pasqyron numrin e saktë të viktimave, që mund të rritet në më shumë se 1 milion gjatë këtij viti.

Ndërkaq, investitorët janë optimistë se rihapja e Kinës mund që përfundimisht të ringjallë ekonominë prej 17 trilionë dollarësh, që ka regjistruar uljen më të vogël në pothuajse gjysmë shekull.

Këto shpresa, së bashku me masat politike për të ringjallur sektorin e patundshmërive, bënë që më 6 janar të rritej vlera e juanit kinez.

Teksa festat e Vitit të Ri Hënor janë në fund të këtij muaji, Kina po ashtu pritet të rihapë kufijtë me rajonin e posaçëm administrativ të Hong Kongut, pas tre vjetësh.
Po ashtu, nga dita e diel do të rinisin edhe udhëtimet me tragete nga Kina në Hong Kong.

Një kompani ajrore në Hong Kong tha se ka dyfishuar numrin e fluturimeve për në Kinë.

Megjithatë, OBSH-ja ka paralajmëruar se festimet për Vitin e Ri Hënor, që nis më 21 janar, zakonisht prodhojnë migrimin më të madh në planet, pasi shumë njerëz kthehen në vendlindjen e tyre për të vizituar familjarët. Kjo sipas OBSH-së, mund të nxisë një valë të re të infektimeve, në kohën kur shteti nuk po administron numër të lartë të vaksinave dhe ka hequr masat e tjera parandaluese.

Autoritetet presin që 2.1 miliardë persona të udhëtojnë gjatë festave të Vitit të Ri Hënor. Vitin e kaluar, ky numër kishte qenë më i vogël, përkatësisht 1.05 miliard udhëtime.

Ministria e Transportit u ka bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes për të minimizuar rrezikun e infektimit të familjarëve të tyre të moshuar, grave shtatzëna dhe fëmijëve.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG