Ndërlidhjet

A mund të mbyllë KPM-ja emisione televizive?

Mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave që u mbajt më 10 qershor.
Mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave që u mbajt më 10 qershor.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Deklarimi i një anëtareje të Komisionit të Pavarur të Mediave se do të propozojë mbylljen e një emisioni televiziv, nxiti reagime dhe debate në Kosovë. Reagimet u shoqëruan me pikëpyetje nëse një gjë e tillë është kompetencë e këtij organi që rregullon dhe menaxhon mediat. Por, a mundet KPM-ja ta bëjë këtë, sipas ekspertëve të fushës?

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Një paralajmërim këtë javë i një prej drejtuesve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) në Kosovë për mbyllje emisionesh televizive nxiti reagime të ashpra dhe ngriti pikëpyetje se a po përpiqet t’i tejkalojë kompetencat e veta ky organ i pavarur për rregullimin dhe menaxhimin e mediave në vend.

Nënkryetarja e KPM-së, Drita Morina – e cila u bë anëtare e komisionit vetëm dy muaj më parë – paralajmëroi gjatë një mbledhjeje të komisionit më 10 qershor se në mbledhjen e radhës do të propozonte mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, nëse “shkeljet përsëriten”, duke iu referuar deklaratave fyese të pjesëmarrësve në debat.

Ekspertët ligjorë vlerësojnë se një hap i tillë shkon përtej kompetencave të KPM-së.

Çka është KPM-ja dhe cilat janë kompetencat e saj?

Sipas ligjit, KPM-ja është organ i pavarur përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë.

Në bazë të ligjit, KPM-ja licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.

Misioni i tij, ndër të tjera, është edhe ta mbrojë lirinë e shprehjes dhe shumëllojshmërinë e mendimit.

Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, e cila e vëzhgoi mbledhjen e KPM-së, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se KPM-ja mund të konstatojë shkelje të Kodit të Etikës dhe të shqiptojë masa të parapara me ligj, por jo të urdhërojë mbylljen e një emisioni televiziv, si masë të veçantë.

“Roli i KPM-së është të vendosë nëse media ka shkelur etikën dhe këtë mund ta bëjë duke u fokusuar ekskluzivisht në aspekte procedurale”, thekson ajo.

Mbyllja e një emisioni debatues mbi çështje politike dhe aktuale nga KPM-ja bie ndesh me vetë frymën e Kodit të Etikës së komisionit, thotë ish-drejtuesi i KPM-së, Jeton Mehmeti, i cili thekson se në nenin 2 të Kodit garantohet liria e shprehjes.

“Një ndërhyrje e tillë mund të justifikohet vetëm kur një medium, në mënyrë të qëllimshme, transmeton përmbajtje që cenojnë rendin kushtetues, sigurinë publike ose interesat themelore të Republikës së Kosovës”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

Në të kaluarën, duke u thirrur në cenim të sigurisë kombëtare dhe shkelje të rregullores së saj, KPM-ja kishte urdhëruar largimin e kanaleve sportive të rrjetit televiziv serb, Arena, që transmetoheshin nga disa platforma kabllore.

Kameramanë në Kosovë duke përcjellë një ngjarje.
Kameramanë në Kosovë duke përcjellë një ngjarje.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e KPM-së?

Gjatë mbledhjes më 10 qershor, KPM-ja njoftoi se shqyrtoi rastet e iniciuara nga vetë komisioni lidhur me shkeljet e vërejtura gjatë mbikëqyrjes së ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuele gjatë heshtjes zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Disa televizione, përfshirë RTV Dukagjini, morën vërejtje me shkrim nga komisioni, pasi kishin publikuar deklarata të politikanëve gjatë heshtjes zgjedhore.

Emisioni “Debat Plus” nuk ishte temë specifike e mbledhjes dhe as nuk u përmend në njoftimin e KPM-së.

Por, Morina e përmendi atë dhe tha se gjatë kohës që ajo është anëtare, “rastet e tilla po përsëriten nga emisioni i njëjtë”, duke shtuar se do të kërkonte “mbylljen e tij deri në ndalimin e emetimit të emisionit të tillë”.

Ajo po iu referohej deklaratave të përdorura gjatë debateve politike në “Debat Plus” nga pjesëmarrësit, dhe u arsyetua me ankesën e bërë nga Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Ekonomisë.

Rizvanolli e ka akuzuar Uran Ismailin e Partisë Demokratike të Kosovës se ka bërë shpifje dhe fyerje gjatë një edicioni të “Debat Plusit”.

Sipas ekspertëve, Kodi i Etikës parasheh hapa e masa paraprake, para se të vendoset ndonjë sanksion ndaj mediave.
Sipas ekspertëve, Kodi i Etikës parasheh hapa e masa paraprake, para se të vendoset ndonjë sanksion ndaj mediave.

Pasojat nga masat e mundshme

KPM-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me paralajmërimin e Morinës dhe nëse një kërkesë të tillë do të shqyrtohej në mbledhjen e radhës dhe mbi çfarë arsyesh.

Kusari thekson për REL se “KPM-ja po i tejkalon kompetencat e veta ligjore duke vendosur se çfarë është shpifje, çfarë është fyerje apo ofendim dhe është duke e luajtur rolin e gjykatës”.

Ajo e kritikon përbërjen e re të KPM-së - e zgjedhur në prill nga Kuvendi i Kosovës - e cila, sipas saj, po bën presion politik në media me qëllim që ato “të mos e kritikojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin [në detyrë, Albin] Kurti apo ministrat e Qeverisë së tij”.

Sipas ish-kreut të KPM-së, Jeton Mehmeti, në raste si ky, çdo pretendim për shkelje të Kodit parashikon një sërë hapash dhe masash paraprake, përpara se të mendohet ndonjë sanksion.

“Pezullimi i një emisioni, pezullimi i të gjithë programit të një televizioni apo revokimi i licencës përbëjnë masat më të rënda që mund të ndërmerren ndaj një transmetuesi. Këto masa kanë pasoja të pakthyeshme financiare e profesionale për mediumin dhe përdoren vetëm në rrethana jashtëzakonisht serioze”, vlerëson Mehmeti.

Ai beson se “nuk ka asnjë rrethanë” që do ta arsyetonte shqyrtimin e mbylljes së emisionit në fjalë nga KPM-ja në mbledhjen e saj të ardhshme.

Kusari, ndërkaq, nënvizon se kompetencë e KPM-së është të shikojë nëse në emisione debatuese respektohet e drejta e përgjigjes, nëse i jepet hapësirë palëve të përfolura, e kështu me radhë.

Gjithashtu, sipas saj, në debatet e transmetuara drejtpërdrejt, KPM-ja duhet t’i zbatojë standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke mos mbajtur përgjegjës mediat për fjalët e shprehura nga palët e treta, por vetë folësit.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

  • 16x9 Image

    Ekrem Idrizi

    Redaktor i web-it dhe gazetar i Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG