Ndërlidhjet

Kompanitë evropiane do të largohen nga Irani nëse rrezikohen nga sanksionet e SHBA-së


Presidenti iranian, Hassan Rohani (djathtas) dhe udhëheqësi i kompanisë franceze, Total, Patrick Pouyanne Chairman, foto nga arkivi.

Gjiganti francez i energjisë, Total u është bashkuar kompanive të mëdha evropiane të cilat kanë deklaruar se do të largohen nga Irani në rast se do të preken nga sanksionet amerikane.

Liderët evropianë në Samitin e Sofjes kanë treguar edhe njëherë përkushtimin e tyre më 16 maj për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që Teherani ka me fuqitë botërore.

Mirëpo njoftimi i kompanisë Total dhe kompanive tjera gjermane e daneze më herët gjatë kësaj jave tregon vështirësitë me të cilat përballen shtetet evropiane për të ruajtuar marrëveshjen, pas tërheqjes së SHBA-së.

Total ka thënë se do të largohet nga projekti një miliardë dollarësh për zhvillimin e fushës së gazit Parsi Jugor, përveç rastit kur do të bëhej ndonjë përjashtim dhe nuk do t’i vendoseshin sanksione amerikane, sipas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Teherani në vazhdimësi ka përmendur projektin e kompanisë Total si simbol të paktit bërthamor duke ndihmuar në modernizimin e industrisë së naftës dhe gazit në Iran.

Total ka qenë kompania e parë e madhe evropiane që është kthyer për të bërë biznes në Iran, pas largimit të sanksioneve më 2016, meqë Teherani ishte zotuar për frenim të aktiviteteve bërthamore.

Tërheqja e kësaj kompanie do të përbënte goditje për presidentin iranian, Hassan Rohani, i cili ka shpresuar se ky projekt do të ndihmonte që edhe kompani tjera të nisnin investimet në Iran.

Deri më tash, Teherani nuk ka komentuar njoftimin e kompanisë Total.

Ligjvënësit iranianë djegin flamurin amerikan
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Video nga arkivi.

Deklarata e kompanisë franceze ka pasuar një varg njoftimesh të tlla nga biznese evropiane, të cilat kanë reaguar pasi Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar se kompanitë kanë gjashtë muaj kohë për ndalur aktivitetet e tyre në Teheran para se të përballen me sanksione të ashpra.

Në të kaluarën Shtetet e Bashkuara kanë gjobituar banka dhe biznese evropiane dhe aziatike për shkelje të sanksioneve.

Sanksionet amerikane kërkojnë nga kompanitë globale të heqin dorë nga të bërit biznes në Iran nëse dëshirojnë të operojnë në SHBA.

Liderët e 28 vendeve anëtare në BE që janë takuar në Sofje nuk kanë marrë ndonjë vendim të shpejtë për atë se si të ruajnë bizneset evropiane që janë aktive në Iran.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka prezantuar disa mundësi si mund të ruhen investimet evropiane, duke përfshirë sanksione hakmarrëse.

Irani u ka kërkuar liderëve evropianë të “garantojnë” se do të vazhdojnë përfitimet ekonomike të marrëveshjes, mirëpo shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini, ka thënë se një gjë e tillë është vështirë e realizueshme.

Mirëpo ajo ka thënë se BE-ja do të shqyrtojë çdo mundësi për të mbajtur raporte biznesore me Teheranin dhe t’i lejojë atij të shesë naftë në gjithë botën.

Zyrtari i lartë evropian për energji, komisioneri, Miguel Arias Canete, do ta vizitojë Iranin nga 18-21 maj për të diskutuar mënyra se si mund të tejkalohen sanksionet amerikane në industrinë e naftës së Iranit.

Ministri iranian i Naftës, Bijan Zanganeh, ka thënë në anën tjetër se Teherani do të mbijetojë nga sanksionet e reja.

“Situata momentale do të kalojë dhe Irani do të jetë fitues”, është cituar të ketë thënë ai sipas agjencisë së lajmeve SHANA.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG