Ndërlidhjet

Komuna e Prishtinës: Banorët e Vranidollit kundërshtojnë groposjen e mbetjeve patologjike


Një frigorifer në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, ku po vendosen placentat.
Një frigorifer në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, ku po vendosen placentat.

Komuna e Prishtinës ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se banorët e fshatit Vranidoll, që gjendet 15 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës, kundërshtojnë që aty të groposen mbetjet patologjike nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë, më 16 shtator, ka raportuar se qese të verdha plot me placenta kanë mbushur pesë frigoriferë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë.

Tre nga këta frigoriferë gjenden në afërsi të sallës së lindjes, në katin e tretë të Klinikës, kurse dy të tjerë në deponë e katit të parë.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka deklaruar për REL-in se ky problem ekziston që dy vjet dhe se Komunës së Prishtinës i është kërkuar disa herë që të ndajë një lokacion.

“Nëse vazhdon një neglizhencë e organeve kompetente, ne duhet ta mbyllim Klinikën apo të falimentojmë. Nuk e di se çka do të bëjmë”, ka thënë Ismaili.

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës në dhjetor të vitit 2020 që të japë në shfrytëzim një pronë për groposjen e mbetjeve patologjike, sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së Komunës për rastet e veçanta.

Sipas QKUK-së, largimin e mbetjeve patologjike e bën një kompani private, e cila duhet të kontraktohet nga ky institucion.

Megjithatë, QKUK-ja ka thënë se për të kontraktuar një kompani për një shërbim të tillë, duhet që fillimisht Komuna e Prishtinës të caktojë një lokacion, ku duhet të groposen këto mbetje.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Komunën e Prishtinës se a është caktuar lokacioni apo pse nuk është marrë vendimi për caktimin e një lokacioni.

Komuna e Prishtinës ka thënë se Drejtoria e Pronës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Planifikimit, e kanë caktuar parcelën në fshatin Vranidoll, si vend i përhershëm për groposjen e mbetjeve patologjike - larg vendbanimit të qytetarëve.

Mirëpo, shtohet se te kryesuesi i Kuvendit Komunal është dorëzuar një peticion nga banorët e Vranidollit për të mos lejuar groposjen e mbetjeve patologjike.

“Proceduralisht duhet të nënshkruhet vendimi fillimisht nga ana e kryetarit të Komunës dhe pastaj të dalë në Kuvend për miratim, e ku do të trajtohet edhe peticioni i banorëve. Prandaj, varësisht nga votat në Kuvend, do të vendoset për këtë lokacion, ose do të vazhdohet me groposjen te varrezat e qytetit”, thuhet në përgjigje.

Por, në një e-mail që më 15 qershor, 2021, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, u ka dërguar zyrtarëve të SHSKUK-së, thuhet se për ndarjen e këtij lokacioni nuk kërkohet që të vendosë Kuvendi Komunal, por vetëm kryetari i Komunës.

Komunikimi i 15 qershorit, 2021, mes nënkryetarit të Prishtinës, Muhedin Nushi, dhe zyrtarëve të SHSKUK-së.
Komunikimi i 15 qershorit, 2021, mes nënkryetarit të Prishtinës, Muhedin Nushi, dhe zyrtarëve të SHSKUK-së.

Komuna e Prishtinës sqaron se, deri më tani, këto mbetje patologjike janë groposur në bashkëpunim me ndërmarrjen "Hortikultura", në varrezat e qytetit të Prishtinës, në një parcelë të posaçme.

XS
SM
MD
LG