Ndërlidhjet

Pasojat e sulmeve në Teheran.
Pasojat e sulmeve në Teheran.

SHBA thotë se qëllimi është shkatërrimi i raketave balistike iraniane teksa Teherani kërcënon transportin në Gjirin Persik

  • Shtetet e Bashkuara thanë se qëllimi i tyre është t'i shkatërrojnë raketat balistike të Iranit, ndërsa Teherani kërcënoi me sulme në Ngushticën e Hormuzit.
  • Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen zjarr, ndërsa konflikti me Iranin zgjerohet. Sulme raportohen edhe në Bahrejn, Emirate të Bashkuara Arabe, Katar e Jordani.
  • Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, konfirmoi refuzimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se do ta ndëshkojë Teheranin me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane.
  • Sulmet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, me synimin për të ndalur programin bërthamor iranian. Në kundërpërgjigje, Irani goditi objektiva në vendet aleate të SHBA-së në rajon.
13:56 2.3.2026

Katari pezullon prodhimin e gazit të lëngshëm natyror pas sulmeve

Kompania shtetërore e energjisë e Katarit, QatarEnergy, tha se ka pezulluar prodhimin e gazit të lëngshëm natyror, pas sulmeve iraniane në disa nga objektet e saj.

Ajo tha se objektet e sulmuara janë Ras Laffan - një bazë e përpunimit të gazit në tokë - dhe Mesaieed - një tjetër vend kyç për prodhimin e gazit natyror të Katarit.

Shteti i Gjirit është një nga prodhuesit kryesorë të gazit të lëngshëm natyror në botë, së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Rusinë.

Doha, Katar
Doha, Katar
13:50 2.3.2026

SHBA-ja njofton për vdekjen e ushtarit të katërt amerikan nga sulmet iraniane

Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane - Centcom tha se edhe një ushtar amerikan, i plagosur gjatë sulmeve të Iranit, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Raportimet e mëparshme konfirmuan se gjatë operacioneve të vazhdueshme ushtarake dhe hakmarrëse të Iranit në rajon, tre ushtarë amerikanë ishin vrarë dhe pesë të tjerë ishin plagosur rëndë.

Komanda amerikane nuk dha ende detaje se ku u plagos dhe vdiq ushtari i katërt, ndërsa konfliktet me raketa dhe dronë vazhdojnë në mbarë Lindjen e Mesme.

Sulmet hakmarrëse të Iranit në Doha të Katarit.
Sulmet hakmarrëse të Iranit në Doha të Katarit.
13:16 2.3.2026

Çmimet e gazit në Evropë rriten për mbi 25%

Çmimet e gazit në tregjet holandeze dhe britanike u rritën për më shumë se 25% të hënën në mëngjes.

Rritja pasoi intensifikimin e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe sulmeve të Republikës Islamike ndaj një numri vendesh në Lindjen e Mesme.

Po ashtu, shumë dërgesa nafte dhe gazi përmes Ngushticës së Hormuzit, u pezulluan.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burimet tregtare, raporton se pas paralajmërimit të Qeverisë iraniane që anijet të mos kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, shumica e pronarëve të cisternave dhe kompanive të mëdha të energjisë kanë ndaluar transportin e naftës, karburanteve dhe gazit të lëngshëm natyror përmes kësaj rruge ujore.

Viteve të fundit, pas pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, Evropa ka rritur importet e gazit të lëngshëm natyror, për të zëvendësuar gradualisht gazin rus.

Rreth 20 për qind e gazit të lëngshëm natyror në botë kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Ndërprerja e zgjatur ose mbyllja e plotë e kësaj rruge do të rriste konkurrencën globale për burime të tjera të gazit dhe do të rriste çmimet në nivel ndërkombëtar.

12:55 2.3.2026

Gjenerali i IRGC-së emërohet ministër i Përkohshëm i Mbrojtjes në Iran

Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, emëroi gjeneralin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Majid Ebnolreza, ministër të përkohshëm të Mbrojtjes.

Më herët, ai shërbente si zëvendësministër kryesor i Aziz Nasirzadehut, i cili u vra në një sulm izraelit, më 28 shkurt.

"Me urdhër të presidentit Pezeshkian, gjenerali i brigadës, Seyyed Majid Ebnolreza, është emëruar ministër i përkohshëm i Mbrojtjes", shkroi Mohammad Mehdi Tabatabaei, nga zyra për komunikim e Pezeshkianit, në rrjetet sociale.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG