Droni që goditi bazën britanike ishte iranian, konfirmon presidenti i Qipros
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ndau më shumë detaje për sulmin me dron në një bazë ushtarake britanike në territorin britanik në Qipron jugore.
Menjëherë pas mesnatës, "një mjet ajror pa pilot - Shahed" u rrëzua në objektet ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në Akrotiri, "duke shkaktuar dëme të vogla materiale", shkroi Christodoulides në X.
Shahed është dron iranian.
Presidenti Christodoulides tha se është "në kontakt të vazhdueshëm" me udhëheqësit e Evropës dhe ata të vendeve të tjera.
Ai shtoi se Qiproja "nuk e ka ndërmend të jetë pjesë e ndonjë operacioni ushtarak".
Reagimi vjen pas deklaratës së fundit nga Ministria britanike e Mbrojtjes, e cila tha se po zhvendoste familjarët e personelit nga baza e Akrotirit.
Gjysmëhëna e Kuqe: Më shumë se 550 persona të vrarë në Iran
Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi të hënën se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Sipas raportit të saj, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt.
Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.
Britania i ndihmon aleatët me ekspertë për neutralizimin e dronëve
Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë ekspertë, përfshirë edhe nga Ukraina, për t'i ndihmuar partnerët në Gjirin Persik në neutralizimin e dronëve iranianë.
Starmer theksoi se forcat iraniane kanë sulmuar një bazë ushtarake në Bahrejn, duke rrezikuar jetën e personelit britanik, edhe pse Britania nuk ishte e përfshirë në sulmet kundër Iranit.
“Partnerët tanë në Gjirin Persik na kanë kërkuar të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur”, tha Starmer.
“Ne nuk po u bashkohemi këtyre sulmeve, por do të vazhdojmë me veprimet tona mbrojtëse në rajon. Gjithashtu, do të dërgojmë ekspertë nga Ukraina, së bashku me ekspertët tanë, për t’i ndihmuar partnerët tanë në Gjirin Persik që t'i neutralizojnë dronët iranianë që i sulmojnë”, shtoi ai.
Grossi: Nuk ka tregues se objektet bërthamore të Iranit janë sulmuar
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, i tha bordit të guvernatorëve të organizatës se "nuk ka asnjë tregues se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar objektet bërthamore të Iranit".
"Nuk kemi asnjë tregues se ndonjë nga objektet bërthamore është dëmtuar ose është shënjestruar", tha ai.
"Përpjekjet për të kontaktuar zyrtarët iranianë për çështje bërthamore janë duke vazhduar dhe, deri më tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje", shtoi ai.
Grossi e përshkroi situatën në Lindjen e Mesme si "jashtëzakonisht shqetësuese" dhe bëri thirrje për "përmbajtje maksimale".
"Edhe një herë, u bëj thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve", tha Grossi.