Zelensky falënderon Edi Ramën për mbështetjen
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për mbështetjen dhe solidarizimin me popullin ukrainas.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Twitter, Zelensky ka treguar se ka biseduar me telefon me kryeministrin shqiptar.
“Folëm për luftën kundër pushtuesve rusë. Diskutuam për bashkëpunimin në kuadër të OKB-së. Në vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Po bëjmë gjitha për t’i dhënë fund luftës", ka shkruar ai.
Afër 800 mijë refugjatë ukrainas kanë arritur në Poloni
Rreth 787,300 njerëz që kanë ikur nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Poloninë fqinje deri më tani, thanë të shtunën autoritetet polake.
Vetëm të premten nga Ukraina në Poloni kanë hyrë 106,400 njerëz.
Kjo është shifra më e lartë brenda një dite që nga data 24 shkurt, kur Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës, tha zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Pavel Szefernaker.
Qeveria e Polonisë ka ngritur 30 pika pritjeje kufitare, tha Szefernaker, ndërsa zyrtarët lokalë kanë ngritur më shumë qendra në qytete dhe bashki anembanë vendit.
Pas mbërritjes në Poloni, disa prej qytetarëve të Ukrainës, udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve tjera të perëndimit.
Kombet e Bashkuara thanë në fillim të kësaj jave se të paktën 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina.
Përveç Polonisë, ata po kalojnë në Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Moldavi.
Fillon evakuimi në Mariupol
Qytetarët ukrainas kanë filluar të largohen nga qyteti Mariupol.
Ata po evakuohen si pjesë e një armëpushimi të përkohshëm të arritur ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
Ukraina paralajmëron Rusinë të mos abuzojë me armëpushimin
Rusia nuk duhet të përfitojë nga një korridor humanitar për të çuar përpara trupat e saj, ka paralajmëruar zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.
Ajo tha se qeveria e saj po “verifikonte” informacionin se trupat ruse po përdornin armëpushimin për t’iu afruar me pozicioneve ukrainase në zonat përgjatë rrugëve të evakuimit.
“Ne po e përdorim këtë kanal për të evakuuar civilët, gra dhe fëmijë”, tha ajo.
“E gjithë bota po shikon”, shoti ajo.
Vereshchuk konfirmoi gjithashtu se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ndërmjetësoi bisedimet për armëpushimin dhe se do të kryesojë kolonat e evakuimit.