Pezullohet evakuimi në Mariupol, ushtria ruse akuzohet për të shtëna
Zyrtarët ukrainas i pezulluan planet e evakuimit të civilëve në qytetin jugor të Mariupolit, pas raporteve për të shtëna nga ushtria ruse.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka urdhëruar armëpushim në Mariupol dhe në qytetin e vogël pranë, Volnovaka, për të mundësuar evakuimin e civilëve.
Zyrtarët e Mariupolit njoftuan përmes rrjeteve sociale se “për shkak të faktit se pala ruse nuk i përmbahet armëpushimit dhe vazhdon të bombardojë Mariupolin dhe rrethinat e tij, evakuimi i popullsisë civile është shtyrë”.
Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Oleksiy Arestovych, foli për këtë çështje edhe gjatë një adresimi televiziv.
Tash për tash, është e pamundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur nëse luftimet janë ndalur ose jo në ndonjë moment gjatë ditës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ofensiva e saj 10-ditore në pjesë të tjera të Ukrainës po vazhdon.
Për më shumë lexoni këtu.
Shtetasit britanikë këshillohen të largohen nga Rusia
Mbretëria e Bashkuar u ka bërë thirrje shtetasve të vet që të largohen nga Rusia.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme britanike, qytetarëve britanikë po ashtu nuk u preferohet qe të udhëtojnë për në Rusi.
Çdo shtetas britanik që ka nevojë për ndihmë konsullore duhet të telefonojë Ambasadën Britanike në Moskë.
Zara mbyll 500 dyqane në Rusi
Nga 6 marsi, Zara do të mbyllë të gjitha 502 dyqanet e saj të veshjeve në Rusi, thotë pronari i saj Inditex.
Biznesi global i modës do t'i mbyllë të gjitha dyqanet e tetë markave të tij: Zara, Pull & Bear, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius, Oysho, Zara Home dhe Uterqüe.
Inditex tha për BBC-në se është duke hartuar një plan për të mbështetur 9,000 punonjësit e tij me bazë në Rusi.
Ukraina thotë se NATO po mashtrohet nga Rusia
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka akuzuar të shtunën aleancën e NATO-s për përkulje ndaj presionit rus.
Këto akuza ai i bëri duke komentuar refuzimin e anëtarëve e NATO-s që të zbatojnë një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.
“NATO nuk është forca që ukrainasit kishin imagjinuar më parë”, shtoi Kuleba.
Duke folur në televizionin ukrainas, Kuleba tha gjithashtu se ishte i hapur për bisedime me homologun e tij rus Sergei Lavrov, por vetëm nëse këto negociata do të ishin “domethënëse”.