Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
20:17 7.3.2022

Me objektiv karshi tankeve

🗣️Puna si gazetar në Ukrainë në këtë kohë është e rrezikshme dhe e lodhshme, por e domosdoshme për ta nxjerrë të vërtetën nga zona e krizës

19:52 7.3.2022

Kosova dënon sulmin mbi Konsullatën e Shqipërisë në Ukrainë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD) ka dënuar të hënën, 7 mars, sulmin e forcave ruse në Konsullatën e Nderit të Shqipërisë, në qytetin Harkiv në Ukrainë.

Në një komunikatë për media, Ministria ka thënë se objekti ku ndodhej konsullata shqiptare është shkatërruar në tërësi.

“MPJD i cilëson të papranueshme sulmet e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, të cilat në ditët e fundit kanë cak institucionet diplomatike, pasi ditë më parë njëjtë është sulmuar edhe Konsullata e Sllovenisë”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

Edhe Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë ka dënuar më herët gjatë së hënës sulmin në këtë objekt.

“Kryesit duhet të mbahen përgjegjës”, është thënë në postimin e Ambasadës në Twitter.

19:35 7.3.2022

BE do të analizojë mundësitë e pranimit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë

Aplikacionet e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të analizohen nga Komisioni Evropian.

Vendimi për të shqyrtuar aplikacionet, i marrë nga ambasadorët e bllokut evropian, duhet të nënshkruhet nga Këshilli Evropian, ndonëse ai konsiderohet formalitet procedural.

Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare kanë diskutuar për aplikacionet – të dorëzuara javën e kaluar – në një takim të mbajtur më 7 mars, dhe janë pajtuar për të ftuar Komisionin për të dhënë mendimin e vet për secilin.

Megjithatë, procesi mund të marrë kohë – komentet e Komisionit mund të marrin 18 muaj kohë për t’u përgatitur.

Nëse janë të suksesshme, procesi për t’iu bashkuar BE-së zakonisht zgjat me vite.

Flamuj të BE-së.
Flamuj të BE-së.

19:01 7.3.2022

Përfundon rundi i tretë i negociatave Ukrainë-Rusi

Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podoliak, ka bërë të ditur për përfundimin e rundit të tretë të negociatave Ukrainë - Rusi në Bjellorusi, duke thënë se nuk është arritur përparim që përmirëson shumë situatën.

“Ka përparim në përmirësim të logjistikës së korridoreve humanitare… konsultimet intensive kanë vazhduar për armëpushim dhe garanci për sigurinë”, ka thënë ai në Twitter.

Përmes një videoje ai ka bërë të ditur se negociatat do të vazhdojnë për të diskutuar armëpushimin.

Edhe Ambasada ruse në Minsk, ka njoftuar për përfundim të bisedimeve, përmes një postimi në Telegram.

Ato është thënë të kenë zgjatuar rreth tri orë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG