Sberbank largohet nga tregu evropian
Banka më e madhe ruse për hua, Sberbank, ka njoftuar se do të largohet nga tregjet evropiane, teksa filialet e saj po përballen me transferim të madh të parave.
Banka ka thënë se nuk mund të ofrojë likuiditet për degët e saj evropiane, mirëpo niveli i kapitalit dhe kualiteti i aseteve janë të mjaftueshme për të bërë pagesa për të gjithë depozituesit.
Të martën, 1 mars, dega evropiane e Sberbank është urdhëruar të mbyllet nga Banka Qendrore Evropiane, me paralajmërimet se do të dështonte, pas mungesës së depozitave pasi Rusia ka pushtuar Ukrainën.
Civilë të vrarë nga sulmet në Zhytomyr
Ukraina ka thënë se sulmet ruse me raketa kanë lënë të vdekur të paktën dy persona të vdekur në qytetin Zhytomyr, i cili gjendet 120 kilometra në perëndim të Kievit.
Sulmi, i cili ka pasur cak një bazë ajrore në qytet, ka goditur shtëpi në afërsi.
Ministria e Brendshme ukrainase ka thënë se të paktën dy persona kanë vdekur dhe 16 të tjerë janë të plagosur.
Një zyrtar qeveritar, Anton Gerashchenko, ka thënë më herët se shifrat e viktimave janë edhe më të larta.
“Deri më tani katër persona kanë vdekur. Përfshirë një fëmijë”, ka thënë ai.
Në llogaritë e Qeverisë ukrainase në Facebook dhe Telegram janë shpërndarë video që tregojnë situatën pas sulmeve.
Aty shihen ekipet e shpëtimit duke tentuar të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënoja.
Ministria e Jashtme ukrainase ka thënë se njëra nga ndërtesat e goditura ka qenë “shtëpi materniteti”.
Të paktën 21 viktima nga sulmet në Harkiv
Të paktën 21 persona janë vrarë dhe 112 janë plagosur pas sulmeve në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv.
Megjithatë, guvernatori i Administratës Rajonale të Harkivit, Oleh Synegubov, ka thënë se të gjitha sulmet ruse “janë zmbrapsur” dhe pozicionet janë mbajtur, pavarësisht bombardimeve të martën dhe në orët e para të mëngjesit të mërkurës.
Ai ka thënë se “armiku rus është përballur me humbje të mëdha”.
Mediat kanë raportuar se trupat ruse kanë hyrë në zonat veriore dhe verilindore të qytetit, teksa ky territor është sulmuar nga ajri.
Wizz Air ofron 100 mijë ulëse të lira për refugjatët ukrainas
Kompania ajrore, WizzAir ka njoftuar se do të ofrojë 100 mijë ulëse të lira për refugjatët ukrainas për fluturime në distanca të shkurtra.
Linja ajrore me bazë në Hungari ka thënë në rrjetet sociale se është e “përkushtuar” për t’iu ndihmuar refugjatëve ukrainas për të arritur në destinacionet e tyre.
Fluturimet do të jenë të mundshme për nisje nga Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Rumania gjatë muajit mars, ka thënë kompania.
Më shumë se 660,000 persona janë larguar nga Ukraina prej nisjes së sulmit rus, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Polonia ka raportuar për fluksin më të madh.
Vlerësohet se 450,000 refugjatë kanë arritur në Poloni, ka thënë zëvendësministri i Brendshëm polak, Pawel Szefernaker, për radion private Zet.