Protestë në Tokio kundër pushtimit rus të Ukrainës
Qindra njerëz marshuan të shtunën në Tokio, duke protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Protestuesit gjatë tërë kohës bërtitnin “Ndaloni luftën”.
Disa mbanin pankarta në duar ku shkruhej: “Ne qëndrojmë me Ukrainën”, dhe disa të tjerë mbanin fotografi të presidentit rus, Vladimir Putin.
Granatimet ruse në një central bërthamor në Ukrainë që ndodhën të premten dhe kërcënimi i nënkuptuar i Putinit për luftë bërthamore, kanë shqetësuar edhe qytetarët e Japonisë.
Ky shtet pësoi sulme atomike në fund të Luftës së Dytë Botërore në Hiroshima dhe Nagasaki, si dhe katastrofën më të keqe bërthamore që nga Çernobili në Fukushima në 2011.
“Është shumë e tmerrshme”, tha Yukiko Asano, që ishte pjesë e protestës.
Protesta, një nga më të mëdhatë në Tokio në vitet e fundit, përfshiu edhe njerëz nga Evropa.
Protestuesit u veshën verdhë dhe kaltër, ngjyrat e flamurit të Ukrainës.
“Ne duhet të ndalojmë Putinin. Duhet t’i japim fund diktaturës”, tha një protestues tjetër.
Pritet të fillojë evakuimi në Mariupol
Evakuimi i civilëve nga qyteti i Mariupolit duhet të fillojë tani, sipas afatit kohor të dhënë nga këshilli i qytetit.
Autobusët janë organizuar për të lëvizur njerëzit.
Banorëve u është thënë gjithashtu se ata mund të përdorin transportin e tyre për të udhëtuar në mënyrë të sigurt përgjatë një rruge të veçantë në veri-perëndim për në qytetin Zaporizhja.
Mariupol është bllokuar prej disa ditësh nga forcat ruse. Armëpushimi është në fuqi edhe për qytetin e vogël, Volnovakha.
Rreth 9 mijë njerëz mund të largohen nëse armëpushimi qëndron
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, tha të shtunën më 5 mars se deri në 9 mijë qytetarë ukrainas mund të largohen nëse armëpushimi qëndron.
“Negociatat e armëpushimit vazhduan gjatë natës”, tha Orlov për BBC.
“Ne filluam menjëherë procedurën tonë për të provuar të evakuojmë njerëzit. Kemi rregulluar 50 autobusë dhe mendojmë se 5-6000 njerëz mund të dalin me autobus për në Zaporizhja. Besojmë se njerëzit mund të largohen edhe me makinë private”, tha ai.
“Ne mendojmë se gjithsej 7mijë deri në 9 mijë njerëz mund të ikin me autobus dhe me makinë private, nëse armëpushimi qëndron. Nuk ka trena që qarkullojnë sepse infrastruktura hekurudhore është shkatërruar nga trupat ruse”, shtoi ai.
Orlov tha se nuk kanë garanci nga pala ruse se armëpushimi do të vazhdojë edhe nesër.
Do të ketë edhe marrëveshje tjera për evakuimin e civilëve
Këshilltari i Ministrisë së Brendshme në Ukrainë, Anton Herashchenko, tha të shtunën se do të ketë edhe marrëveshje të mëtejshme me Rusinë për krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve.
“Patjetër që do të ketë edhe marrëveshje tjera si kjo për të gjitha territoret e tjera”, tha ai, duke iu referuar një plani ekzistues evakuimi për qytetin e Mariupolit.