Mirëmëngjesi lexues të nderuar! Vazhdojmë blogun tonë lidhur me luftën në Ukrainë.
Sërish sulme në centralin bërthamor
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se trupat ruse “po qëllojnë nga të gjitha anët” në uzinën bërthamore të Zaporizhja, centrali më i madh në Evropë.
“Rusët duhet të ndërpresin menjëherë zjarrin, të lejojnë zjarrfikësit që të krijojnë një zonë sigurie”, ka shkruar ai në Twitter.
Rreth 3,000 amerikanë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë
Rreth 3 mijë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar kundër Rusisë, tha një përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Uashington për Zërin e Amerikës.
Vendet perëndimore nuk po dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë, por kanë dërguar armë.
Gjithashtu, kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe oligarkëve dhe liderëve rusë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas kanë bërë thirrje për formimin e një “legjioni ndërkombëtar” vullnetarësh të huaj për të ndihmuar Ukrainën në luftë.
Disa ditë më parë, Zelensky tha se rreth 16,000 vullnetarë nga vende të ndryshme janë paraqitur për të marrë pjesë në luftë.
Mariupoli “në prag të katastrofës humanitare”
Situata në rajonin e Sumyt dhe në qytetin e Mariupolt, është “në prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për kanalin televiziv “Ukraina-24” të dielën në mëngjes.
Aktualisht, nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë në dy qytete në rajonin verior të Sumyt, tha këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko.
Megjithatë, ai shtoi se nata e së shtunës ka qenë “relativisht e qetë”.
Gjatë së shtunës, Ukraina dhe Rusia u pajtuan për një armëpushim që synonte largimin e civilëve të iknin nga Mariupoli, por ky armëpushim zgjati më pak se 30 minuta para se të rifillonin granatimet nga forcat ruse.
Sipas raportimeve të mediave në Ukrainë, korridori humanitar mund të rihapet sërish të dielën.