Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
12:10 6.3.2022

Sulmohen civilët gjatë evakuimit

Një pikë kalimi për evakuimin e civilëve që përpiqeshin të largoheshin nga qyteti Irpin në perëndim të Kievit, u bombardua të dielën në mëngjes, raporton CNN.

Mediat ndërkombëtare po filmonin në atë lokacion, kur ra një predhë, në kohën kur një grup civilësh po kalonte përmes postbllokut.

Sipas raportimeve, të paktën tre civilë janë vrarë, duke përfshirë dy fëmijë, mirëpo ende nuk janë konfirmuar viktimat.

12:26 6.3.2022

Rifillon evakuimi në Mariupol

Autoritetet në Mariupol thonë se armëpushimi i ri ka hyrë në fuqi, që lejon evakuimin e civilëve të bllokuar.

Përpjekjet për evakuim filluan rreth një orë më parë.

Qytetarët ukrainas kalojnë nëpër një urë të shkatërruar si pasojë e sulmeve ruse, 5 mars 2022.
Qytetarët ukrainas kalojnë nëpër një urë të shkatërruar si pasojë e sulmeve ruse, 5 mars 2022.

 

13:10 6.3.2022

Erdogan i kërkon Putinit të shpallë armëpushimin në Ukrainë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, ka njoftuar zyra e presidentit turk.

Pas një telefonate njëorëshe, presidenca turke përmes një deklarate njoftoi se Erdogan i tha Putinit se Turqia është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Sipas deklaratës, Erdogan tha se një armëpushim do të lehtësonte situatën humanitare.

“Presidenti Erdogan filloi bisedën me fjalinë: “le të hapim rrugën për paqen së bashku, thuhet në deklaratën për media.

Për më shumë lexoni këtu.

13:33 6.3.2022

Putin: Sulmi do të përfundojë kur të plotësohen kërkesat e Moskës

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i ka thënë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, përmes telefonit, se Rusia do të ndalojë operacionin e saj ushtarak vetëm nëse Ukraina ndalon luftimet dhe kërkesat e Moskës përmbushen, thotë Kremlini.

Rusia këmbëngul se pushtimi i saj i Ukrainës nga toka, ajri dhe deti është një operacion ushtarak special, për të cilin Putin pretendon se, pa asnjë provë, është i nevojshëm për të “denazifikuar” vendin.

Udhëheqësi rus përsëriti se sulmi po shkon sipas planit.

Sipas deklaratës së Kremlinit, Putin shpreson që negociatorët ukrainas të kenë një qasje më konstruktive.

Zyra e presidentit Erdogan, tha se udhëheqësi turk kishte apeluar për një armëpushim urgjent të përgjithshëm.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG