Kremlini i nxjerr kushte Ukrainës për të ndaluar pushtimin
Rusia tha se mund t’i ndalojë “operacionet” në Ukrainë “në çdo moment”, nëse Kievi i përmbush kushtet e saj.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Ukraina duhet ta njohë Krimenë si rajon rus, ndërsa Donjeckun dhe Luhanskun si shtete të pavarura.
Përveç kësaj, Peskov tha se Ukraina duhet të ndryshojë edhe Kushtetutën e saj dhe të refuzojë anëtarësimin në çdo bllok.
Ai shtoi se Rusia do ta përfundojë “çmilitarizimin” e Ukrainës dhe nëse plotësohen këto kushte, veprimet ushtarake ruse “do të ndalen menjëherë”.
Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka shpallur të pavarura dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Donjeckun dhe Luhanskun, pak ditë para se të niste pushtimin e fqinjit të tij jugor.
Ukraina dhe Perëndimi nuk e kanë pranuar kurrë as aneksimin e Krimesë, as pavarësinë e Donjeckut dhe Luhanskut.
Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.
Ukraina ka shprehur ambiciet e saj për anëtarësim në NATO, në të ardhmen.
Zelensky bën thirrje për bojkotimin e produkteve ruse
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për bojkotim global të të gjitha produkteve ruse, përfshirë naftën.
“Nëse pushtimi vazhdon dhe Rusia nuk heq dorë nga planet e saj kundër Ukrainës, atëherë ne kemi nevojë për një paketë të re sanksionesh”, tha Zelensky në një video-adresim të hënën.
Sipas tij, bota duhet t’i refuzojë eksportet e Rusisë, sidomos naftën dhe produktet e saj.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë edhe më me vendosmëri”, tha ai.
Zelensky tha se as Rusia nuk duhet të marrë mallra dhe shërbime nga jashtë “nëse nuk dëshiron t’i respektojë rregullat e civilizuara”.
“Mund të quhet embargo, ose mund të jetë thjesht moral”, tha Zelensky.
“Lëreni luftën t’i ushqejë ata”, shtoi ai.
Fortifikohet Odesa
Qendra e Odesës, një qytet kyç ukrainas pranë Detit të Zi, në perëndim të vendit, është kthyer në një zonë të fortifikuar. Pozicionet mbrohen nga ushtarë ukrainas, të cilët vëzhgojnë zbarkimet eventuale ajrore ose detare të forcave ushtarake ruse.
Kryetari i Irpinit: Evakuimet po vazhdojnë
Kryetari i qytetit ukrainas, Irpin – afër Kievit – ka thënë se procesi i evakuimit të civilëve është duke vazhduar.
Oleksandr Markushyn u ka thënë mediave ukrainase se evakuimi është duke vazhduar në mënyrë paqësore dhe rreth 1,000 persona janë dërguar në vende të sigurta.
Mirëpo Markushyn ka thënë se forcat ruse po vazhdojnë të bombardojmë qytetin Irpin.
Ai ka thënë se forcat ukrainase kanë zmbrapsur forcat ruse, të cilat janë tërhequr në skaj të qytetit.
Një këshilltar i Ministrisë së Brendshme ka thënë se qytezat tjera në veriperëndim, përfshirë Bakan, Hostomelin dhe Vorzelin, janë duke u kontrolluar nga forcat ruse dhe situata mbetet kritike.