Kievi: Bisedimet Ukrainë-Rusi do të rinisin të martën
Negociatat në mes të Moskës dhe Kievit pritet të rinisin të martën, ka thënë këshilltari i Presidencës ukrainase, Mikhailo Podolyak.
Ai i ka bërë këto komente pas takimit të katërt që është zhvilluar të hënën, 14 mars, me qëllim të dhënies fund të pushtimit rus në Ukrainë.
Të gjitha rundet e negociatave kanë përfunduar pa marrëveshje.
“Është marrë vendim për një pauzë në negociata deri nesër”, ka thënë Podolyak në Twitter, pasi të dyja palët patën rritur shpresat gjatë fundjavës për arritje të një marrëveshjeje.
Zhvillimet kyçe të ditës së 19-të të luftës së Rusisë në Ukrainë:
- Përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës kanë zhvilluar bisedime me qëllim të dhënies fund të luftimeve. Negociatorët ukrainas kanë thënë se dialogu do të fokusohet në arritjen e një armëpushimi, largimin e trupave ruse dhe garanci të sigurisë për Ukrainën
- Bisedimet do të vazhdojnë të martën, pas një “pauze teknike” ka thënë këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhaylo Podolyak
- Mirëpo luftimet kanë vazhduar, pasi për bombardime është raportuar në Kiev, nga të cilat ka vdekur të paktën një person
- Një grua shtatzënë ka vdekur bashkë me foshnjën e saj në Mariupol, disa ditë pas bombardimit të spitalit të maternitetit në këtë qytet
- Bombardimet ruse në disa qyteza kanë qenë aq intensive, saqë është raportuar që civilët e vdekur janë duke u varrosur në varreza masive, përfshirë në qytetin Mariupol
- Kina ka thënë se pretendimi i zyrtarëve amerikanë që Rusia i ka kërkuar Pekinit t’i ofrojë ndihmë ushtarake Rusisë është “dezinformatë”, derisa Kremlini e ka hedhur poshtë po ashtu këtë gjë, duke thënë se ka burime të mjaftueshme për të përmbushur qëllimet e veta në mënyrë të pavarur
Britania: Po i ndihmojmë Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetojë krimet e luftës
Sekretari britanik i Drejtësisë, Dominic Raab, ka qenë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, për të ofruar ndihmë për një rast rreth gjykimit të mundshëm të krimeve të luftës në Ukrainë.
Raab ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin “po përgjigjet në mënyrë edhe më barbare” në Ukrainë.
Raab ka thënë se kushdo që ka kryer krime të luftës në Ukrainë “duhet të mbahet përgjegjës” dhe se Britania është duke ofruar ndihmë teknike dhe financiare.
Aleati i Putinit: Sulmi rus nuk po shkon sipas planit
Shefi i Gardës Kombëtare të Rusisë, Viktor Zolotov, ka thënë se ofensiva ushtarake e Moskës në Ukrainë nuk është duke shkuar sipas planit, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Kjo do të ishte deklarata më e fuqishme deri më tani e ndonjë zyrtari të Kremlinit, se pushtimi rus në Ukrainë ka shkuar më ngadalë sesa është pritur.
“Do të doja të thosha që po, jo gjithçka është duke shkuar aq shpejt sa do të donim ne”, ka thënë Zolotov, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin dhe ish-roje e tij e sigurisë.
Ai ka fajësuar për përparimin jo të kënaqshëm të Rusisë, elemente të së djathtës ekstreme që, sipas tij, gjenden në mesin e popullsisë ukrainase.
Kështu, ai ka përsëritur një akuzë të Moskës për të arsyetuar pushtimin, duke thënë se neo-nazistët janë infiltruar në Ukrainë.
Këto komente, për të cilat Reuters ka thënë se janë publikuar në faqen zyrtare të Gardës Kombëtare të Rusisë, nuk janë konfirmuar nga Radio Evropa e Lirë, pasi faqja e Kremlinit ka rënë.