Blinken shpreh ngushëllime për gazetarët e vrarë të Fox News
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përmes një postimi në Twitter ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e gazetarëve të Fox News, Pierre Zakrzewski, 55 vjeç, shtetas irlandez, dhe ukrainases 24-vjeçare, Oleksandra Kuvshinova.
Ata u vranë jashtë Kievit kur automjeti i tyre u dogj pas sulmeve ruse.
“Unë jam mirënjohës për të gjithë ata që rrezikojnë jetën e tyre për t'i treguar botës se çfarë po ndodh në Ukrainë”, ka shkruar Blinken.
Dëgjohen sirenat e alarmit në disa qytete të Ukrainës
Në orët e para të mëngjesit, sirenat e alarmit janë ndezur sërish në disa qytete në Ukrainë.
Sirenat paralajmërojnë njerëzit që të strehohen nga sulmet e mundshme me raketa.
Sirenat janë dëgjuar në Kiev, Lviv, Ivano-Frankivsk, Odesa, Dnipro.
Granatohen disa ndërtesa në Kiev
Në orët e mëngjesit, janë dëgjuar disa shpërthime në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Autoritetet e Kievit njoftojnë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen Shevchenko u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit.
Edhe një ndërtesë nëntëkatëshe u dëmtua po ashtu.
Nga këto shpërthime janë lënduar dy persona dhe 35 të tjerë janë evakuar nga ndërtesa.
Zjarri u shua në mëngjes dhe ekipet e shpëtimit tani po kërkojnë për të mbijetuar.
Banorët në të gjithë qytetin mbeten të izoluar në bunkerë, në strehimore nën tokë dhe në shtëpitë e tyre, pas shtetrrethimit të nisur qe dy ditë.
Shpërthime janë dëgjuar edhe në Odesa dhe Zaporizhja.
OKB: 90 për qind e ukrainasve të rrezikuar nga varfëria nëse zgjatet lufta
Nëse pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë edhe më gjatë, pothuajse 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh, mund të bie në varfëri të skajshme, kurse mbi 60 për qind rrezikon të varfërohet brenda një viti, vlerëson Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në një projeksion të hershëm të publikuar më 16 mars.
UNDP-ja citon vlerësimin e Qeverisë ukrainase se lufta deri më tani ka shkaktuar një humbje prej të paktën 100 miliardë dollarësh të infrastrukturës kryesore si rrugë, ura dhe spitale, dhe ka shkaktuar mbylljen e të paktën gjysmës së bizneseve të Ukrainës, ndërsa gjysma tjetër funksionon nën kapacitete.
“Lufta në Ukrainë po u shkakton vuajtje të paimagjinueshme njerëzve me humbje tragjike të jetës dhe zhvendosjen e miliona njerëzve. Ndërsa, nevoja për ndihmë të menjëhershme humanitare për ukrainasit është e një rëndësie të madhe, ndikimet akute të zhvillimit të një lufte të zgjatur po bëhen tani më të dukshme”, tha Achim Steiner nga UNDP.
Për më shumë lexoni këtu.