Australia njofton për ndihmë shtesë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, më 20 mars bëri të ditur për ndihmën shtesë ushtarake humanitare dhe ushtarake që shteti i tij do t’i japë Ukrainës, teksa njoftoi se do të vendosë ndalesë të menjëhershme në eksportet ruse të aluminit dhe mineraleve të aluminit.
“Është e qartë se nevoja e Ukrainës për ndihmë ushtarake mbetet urgjente dhe do të vazhdojë”, tha zyra e Morrison përmes një deklarate për media.
Ndihma ushtarake: Paketa përfshin 15.3 milionë dollarë amerikanë në ndihmë të mbrojtjes ushtarake për Forcat e Armatosura ukrainase, duke e sjellë në 66.3 milionë dollarë ndihmën ushtarake të ofruar nga Australia.
Morrison tha se ndihma do të përfshijë municion dhe pancirë.
Ndihma humanitare: Qeveria australiane tha se do të dhurojë 21.8 milionë dollarë amerikanë ndihmë humanitare që do të përqendrohet në “mbrojtjen e grave, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”.
Analiza e Institutit për Studime të Luftës për pushtimin rus të Ukrainës
Rusia ka bërë vetëm përparim të kufizuar në pushtimin e saj të Ukrainës gjatë ofensivës fillestare, tha Instituti për Studime të Luftës. Kjo organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara, ka bërë një vlerësim lidhur me suksesin e ofensivës fillestare ruse.
Këto janë disa nga gjetjet kryesore:
- Po krijohen kushtet që lufta në pjesën më të madhe të Ukrainës të kthehet në një bllokadë që mund të zgjasë me javë ose muaj të tërë
- Sa më shumë të zgjasë kjo bllokadë, aq më vdekjeprurës mund të bëhet
- Grupet e vogla të trupave ruse janë të fokusuara në luftime të lokalizuara sesa në nisjen e operacioneve në shkallë të gjerë
- Nëse bie Mariupoli nën kontrollin e rusëve, ka pak gjasa që Rusia të ketë më shumë trupa për të zhvilluar një fushatë më të gjerë për shkak të shkallës së dëmit të shkaktuar nga luftëtarët ukrainas
- Forcat ruse me gjasë do ta marrin kontrollin e Mariupolit ose do ta detyrojnë qytetin që të kapitullojë në javët në vazhdim
- Rusët me gjasë i kanë braktisur planet që ta rrethojnë Kievin nga perëndimi apo ta sulmojnë qytetin nga perëndimi në një të ardhme të afërt
- Në vend të kësaj, ata me gjasë po dëshirojnë të krijojnë kushte për të vazhduar bombardimet me artileri dhe raketa në Kiev, duke tentuar që ta godasin qendrën e qytetit
- Mbështetja e vazhdueshme për Kievin nga shtetet perëndimore do të jetë jetike
Zyrtarët ukrainas: Rusia ka sulmuar një shkollë që strehonte 400 persona
Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se forcat ruse kanë bombarduar një shkollë ku 400 persona po strehoheshin.
Sulmi u tha se ka ndodhur të shtunën.
Në një postim në Telegram, këshilli i qytetit tha se ndërtesa e shkollës është shkatërruar dhe se banorët janë nën rrënoja. Sipas zyrtarëve, gra, fëmijë dhe të moshuar kanë qenë duke u strehuar në këtë shkollë.
Ende nuk ka njoftime për viktimat e mundshme nga ky sulm.
Për shkak të vështirësive në komunikim me qytetin e rrethuar të Mariupolit, ky lajm nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Lexues të nderuar, nëse tani jeni kyçur në blogun tonë lidhur me luftën në Ukrainë, këto janë ngjarjet kryesore që kanë ndodhur deri më tani në ditën e 25-të të pushtimit rus të Ukrainës.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rrethimi i qytetit të Mariupolit do të mbahet mend për shekuj me radhë, duke thënë se përfshin krime lufte të kryera nga forcat ruse
- Zyrtarët ukrainas thanë se në Mariupol, Rusia ka bombarduar një shkollë ku strehoheshin 400 civilë
- Në orët e para të mëngjesit të 20 marsit, sirena për sulme ajrore janë dëgjuar në Kiev, Sumi, Mikolaiv, Poltava, Harkiv, Çerkasi, Odesa dhe Zaporizhja
- Ushtria ukrainase tha se forcat ruse po rigrupohen dhe po riparojnë pajisjet e dëmtuara në vend se të nisin ofensiva të reja
- Zyrtarët lokalë thanë se janë evakuuar 71 fëmijë nga një jetimore në Sumi
- Inteligjenca britanike tha se Rusia po dështon që të marrë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase, që sipas zyrtarëve britanikë, ka qenë objektivi primar i Rusisë